Lajme

SHBA-ja pezullon sulmet ndaj Iranit për t’i dhënë hapësirë diplomacisë

Sipas zyrtarëve amerikanë, aktualisht diplomacia po zhvillohet në prapaskenë për të ulur tensionet në konfliktin mes SHBA dhe Iranit.

Një zyrtar amerikan, raporton CNN, tha se SHBA ka kryer sulme në mënyrë të qëllimshme dhe më pas i ka pezulluar ato për të shmangur përshkallëzimin dhe për t’i dhënë mundësi diplomacisë të funksionojë, përcjell albinfo.ch.

Sipas tij, Washingtoni po mban një listë objektivash si mjet presioni. Disa zyrtarë thanë se kishte përgatitje për sulme të mundshme amerikane nëse do të ishte e nevojshme gjatë natës së sotme, por aktualisht po i japin përparësi diplomacisë.

Më herët gjatë ditës, në bordin e aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” në Detin Arabik, ekuipazhet ajrore armatosën avionët luftarakë, ndërsa pilotët zhvilluan stërvitje për t’u përgatitur për çdo mision të mundshëm sulmi.

Kapiteni i aeroplanmbajtëses informoi mijëra marinarët në bord se tensionet rajonale po rriteshin dhe theksoi rëndësinë e gatishmërisë së vazhdueshme, siç është praktikë standarde.

Krahas përgatitjeve për sulme, pilotët e avionëve luftarakë vazhduan operacionet e zakonshme mbrojtëse, duke kryer fluturime si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës.

Zyrtarët amerikanë thanë se pretendimet iraniane se tashmë ka patur sulme të tjera amerikane gjatë kësaj nate ishin të pasakta. Megjithatë, ata shtuan se situata mbetet dinamike dhe sulmet mund të rifillojnë nëse do të jetë e nevojshme. /Albinfo.ch.