Lajme

Sistemi i ri kufitar i BE-së zbulon mijëra shkelës të rregullit 90/180 ditë

EES ka regjistruar mbi 108 milionë hyrje dhe dalje të shtetasve jashtë BE-së, ndërsa mijëra persona janë ndaluar për shkelje të rregullave të qëndrimit.

Sistemi i ri digjital i kontrolleve kufitare të Bashkimit Evropian, Entry-Exit System (EES), ka zbuluar më shumë se 8 mijë persona që kanë qëndruar përtej afatit të lejuar në zonën Shengen, gjatë gjashtë muajve të parë nga nisja e zbatimit të tij, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, që nga fillimi i funksionimit të sistemit në tetor, janë regjistruar mbi 108.5 milionë hyrje dhe dalje të shtetasve jashtë BE-së, ndërsa gjithsej 43.728 persona u është refuzuar hyrja në zonën Shengen.

Nga këta, 8.739 persona janë evidentuar për shkak të tejkalimit të afatit të qëndrimit të lejuar, përfshirë shkeljet e rregullit të njohur si “90 ditë brenda 180 ditëve”. Ky rregull u lejon shumë shtetasve jashtë BE-së të qëndrojnë deri në 90 ditë në një periudhë gjashtëmujore pa pasur nevojë për vizë.

Ndërkohë, mijëra persona të tjerë janë ndaluar për arsye të ndryshme. Sipas të dhënave zyrtare, disa nuk kishin dokumente të vlefshme udhëtimi, vizë apo leje qëndrimi, ndërsa të tjerë u konsideruan rrezik për sigurinë ose tentuan të përdornin dokumente të falsifikuara.

Sistemi EES është krijuar për të zëvendësuar vulosjen manuale të pasaportave dhe për të regjistruar në mënyrë elektronike hyrjet, daljet dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të shtetasve nga vende jashtë zonës Shengen.

Megjithatë, zbatimi i tij ka shkaktuar edhe probleme praktike në disa pika kufitare dhe aeroporte, me radhë të gjata dhe vonesa për shkak të ngarkesës së sistemeve biometrike dhe numrit të madh të udhëtarëve.

Komisioni Evropian ka pranuar se disa vende kanë hasur vështirësi me kapacitetet teknike, regjistrimin e të dhënave biometrike dhe mbingarkesën në periudha të caktuara.

Autoritetet evropiane po përgatiten gjithashtu për hapin e ardhshëm, sistemin ETIAS, i cili do të kërkojë nga disa udhëtarë jashtë BE-së të regjistrohen dhe të marrin autorizim para udhëtimit drejt zonës Shengen.

Për udhëtarët nga Ballkani Perëndimor, rregulli 90/180 ditë mbetet një nga çështjet më të rëndësishme, pasi tejkalimi i këtij afati mund të sjellë gjoba ose ndalim hyrjeje në vendet e Shengenit. /Albinfo.ch