Lajme

Shtatë milionë franga për pikturën e artistit zviceran, Ferdinand Hodler

Shtëpia e ankandeve në Cyrih, Koller, e shiti veprën e artit për gati 7 milionë franga zvicerane gjatë javës së ankandit të qershorit

Piktura “Perëndimi i diellit në liqenin e Gjenevës”, vepër e piktorit zviceran Ferdinand Hodler, që daton nga viti 1917, ka gjetur një shtëpi të re. Shtëpia e ankandeve në Cyrih, Koller, e shiti veprën e artit për gati 7 milionë franga zvicerane gjatë javës së ankandit të qershorit, transmeton albinfo.ch.

Shtëpia e ankandeve arriti një normë shitjesh prej 87 për qind dhe mori mbi 3,000 oferta nga ofertuesit në 49 vende, shkruan SDA. Një total prej shtatë artikujsh u nxorën në ankand për më shumë se një milion franga zvicerane, thuhet më tej.

Këto përfshinin pikturën “La Salute (Venise)” nga viti 1906 nga piktori francez Paul Signac, e cila u shit për 4.16 milionë franga zvicerane, dhe orën “pothuajse në gjendje të shkëlqyer dhe jashtëzakonisht të rrallë” Rolex Daytona “Paul Newman”, e cila u shit për 2.4 milionë franga zvicerane.