Lajme

Zjarr i madh në Belgjikë: 5 të vdekur dhe dhjetëra të lënduar në një pallat banimi në Antverp

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një zjarri të madh që shpërtheu të mërkurën në mëngjes në një ndërtesë banimi në zonën Linkeroever të Antverpit, në Belgjikë.

Ndërtesa 10-katëshe, ku jetonin mbi 200 banorë, u evakuua menjëherë sapo flakët filluan të përhapeshin.

Autoritetet bëjnë të ditur se disa persona kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë dërguar në spitale, ndërsa të tjerë janë trajtuar në vendngjarje.

Zëdhënësja e policisë së Antverpit, Kim Bastien, tha se zjarrin e kanë konstatuar rreth orës 10:00 dhe menjëherë është kuptuar se bëhej fjalë për një incident serioz. Sipas saj, operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë ende për të verifikuar nëse ka persona të mbetur brenda ndërtesës.

Fillimisht u raportua se zjarri kishte nisur në katin e dhjetë, por më pas zjarrfikësit sqaruan se vatra e flakëve ishte në katin e tetë. Kur ekipet e para mbërritën, pjesë të mëdha të ndërtesës ishin mbuluar nga tymi i dendur.

Një video nga vendi i ngjarjes tregon momente dramatike, ku një banor shihet duke u përpjekur të shpëtojë nga ballkoni për shkak të tymit.

Autoritetet e zjarrfikësve e kanë cilësuar situatën si shumë të komplikuar, por kanë bërë të ditur se përhapja e flakëve është ndalur, megjithëse zjarri ende nuk është shuar plotësisht.

Ekipet e emergjencës po vazhdojnë kontrollin e plotë të ndërtesës dhe identifikimin e banorëve që mund të mungojnë.