Lajme

Firma zvicerane shkurton orarin e punës gjatë vapës, punonjësit punojnë vetëm gjashtë orë

Kompania nga Allschwil u dhuron punonjësve orët e humbura për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e tyre gjatë temperaturave të larta

Një kompani për mirëmbajtjen e ndërtesave në Allschwil, pranë Bazelit në Zvicër, ka vendosur të shkurtojë orarin e punës gjatë ditëve me temperatura mbi 30 gradë Celsius, përcjell albinfo.ch.

Kompania Zweipack njoftoi se, për sa kohë të zgjasë vala e të nxehtit, punonjësit do të punojnë vetëm gjashtë orë në ditë, në vend të 8.4 orëve. Rreth 2.4 orët e mbetura nuk do të kompensohen, por do t’u dhurohen punonjësve si kohë e lirë me pagesë, shkruan 20 minuten.

Drejtori i kompanisë, Mischa, tha se vendimi është marrë për arsye sigurie, pasi temperaturat e larta ulin përqendrimin dhe rrisin rrezikun e aksidenteve në punë, veçanërisht për ata që punojnë fizikisht ose në ambiente të jashtme.

Masa është pritur shumë mirë nga punonjësit.

Një praktikant i vitit të dytë, Demir, tha se pas një dite të zakonshme pune ndihej i rraskapitur dhe nuk kishte energji as për aktivitete pas punës.

“Tani mund të përqendrohem më mirë dhe pasdite kam kohë edhe për t’u freskuar.”

Edhe kolegia e tij, Nura, e vlerësoi vendimin, duke thënë se iniciativa të tilla bëjnë që njerëzit të shkojnë me dëshirë në punë.

Ndërsa praktikantja Vivien shtoi se pasditet e lira “ndihen si pushime të shkurtra”.

Kompania shpreson se kjo masë do të ndihmojë në ruajtjen e shëndetit, mirëqenies dhe produktivitetit të stafit gjatë periudhave me vapë ekstreme./Albinfo.ch