Lajme

Vala e të nxehtit në qershor ishte e rrallë edhe për klimën e sotme

Sipas analizës së World Weather Attribution, një ngjarje e tillë do të kishte qenë praktikisht e pamundur 50 vjet më parë, kur klima ishte rreth 3.5 gradë Celsius më e freskët

Vala e të nxehtit që përfshiu Zvicrën në fund të qershorit konsiderohet një ngjarje e rrallë, edhe në kushtet aktuale të ndryshimeve klimatike, sipas Zyrës Federale të Meteorologjisë dhe Klimatologjisë, MeteoSwiss.

Sipas MeteoSwiss, një valë e nxehti me intensitet të njëjtë ose më të lartë në këtë periudhë të vitit ndodh më pak se një herë në 25 vjet. Përveç ndikimit të ngrohjes globale, situata u shkaktua edhe nga një sistem i fuqishëm i presionit të lartë mbi Evropë, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, ndryshimet klimatike e kanë bërë këtë lloj vale të nxehti dukshëm më të mundshme dhe më intensive.

Sipas analizës së World Weather Attribution, një ngjarje e tillë do të kishte qenë praktikisht e pamundur 50 vjet më parë, kur klima ishte rreth 3.5 gradë Celsius më e freskët.

MeteoSwiss thekson se vala e fundit tregon se sa ekstreme mund të bëhen temperaturat edhe me rreth 1.4 gradë ngrohje globale. Sipas skenarëve klimatikë për Zvicrën, ngjarje të ngjashme pritet të bëhen më të shpeshta dhe edhe më ekstreme në të ardhmen.

Në fund të qershorit, disa stacione meteorologjike në Zvicër shënuan rekorde të reja për kohëzgjatjen e valës së të nxehtit, duke nxjerrë në pah sfidat gjithnjë e më të mëdha që vendi po përballet nga temperaturat ekstreme.