Lajme

Pas vapës ekstreme, shpërthen zjarr i madh mbi Locarno

Janë mbyllur shtigjet e ecjes, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin aktivitetet në zonën e Cardadës

Një zjarr i madh pyjor ka shpërthyer të hënën në mbrëmje në zonën Cima della Trosa, mbi Cardada, mali i njohur që ngrihet mbi qytetin e Locarnos në kantonin Ticino, transmeton albinfo.ch.
Operacioni për shuarjen e flakëve po vazhdon edhe të martën, ndërsa autoritetet kanë mbyllur disa shtigje për ecje dhe kanë këshilluar qytetarët të shmangin aktivitetet në këtë zonë, përfshirë fluturimet me paraglajdër dhe sportet e tjera ajrore.
Sipas mediave zvicerane, bëhet fjalë për një zjarr me përmasa të mëdha. Shërbimi zviceran i informimit dhe paralajmërimit Alertswiss ka lëshuar një njoftim zyrtar për situatën dhe kufizimet në fuqi.
Banorët e zonës raportojnë se qendra e emergjencës ka marrë mbi 100 telefonata pas shpërthimit të zjarrit. Një banor tha se era e tymit është ndier gjatë gjithë natës, ndërsa edhe të martën në mëngjes nga qyteti mund të shiheshin ekipet që po luftonin me flakët.
Shkaku i zjarrit ende nuk është bërë i ditur.
Ngjarja vjen pas valës intensive të të nxehtit që ka përfshirë Zvicrën. Në Ticino dhe në shumë rajone të tjera të vendit është në fuqi niveli më i lartë i paralajmërimit për thatësirë, ndërsa autoritetet federale kanë paralajmëruar për rrezik shumë të lartë të zjarreve në pyje. /Albinfo.ch