Lajme

Tragjedi në Francë: Dy fëmijë humbin jetën pasi mbetën në veturë gjatë valës së të nxehtit

Viktimat, 2 dhe 4 vjeç, u gjetën pa shenja jete në një automjet të parkuar në Carpentras. Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes.

Dy fëmijë të moshës 2 dhe 4 vjeç kanë humbur jetën në qytetin Carpentras, në jug të Francës, pasi u gjetën pa shenja jete brenda veturës së familjes, në një kohë kur vendi po përballet me temperatura ekstreme, përcjell albinfo.ch.

Sipas prokurores së Carpentras, Hélène Mourez, shkaku i saktë i vdekjes ende nuk është konfirmuar, por dyshohet se temperaturat e larta kanë qenë faktor përcaktues në këtë tragjedi.

Fëmijët u gjetën rreth orës 13:10 në automjetin e parkuar pranë banesës së tyre. Ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë dhe tentuan t’i rikthenin në jetë, por përpjekjet e tyre rezultuan të pasuksesshme.

Sipas mediave franceze, hetimet paraprake po shqyrtojnë mundësinë që fëmijët të kenë hyrë në automjet pa dijeninë e nënës së tyre 33-vjeçare, e cila ishte kthyer nga pazari. Ende nuk është bërë e ditur se sa kohë ata kanë qëndruar brenda veturës.

Ngjarja vjen në kulmin e një vale të fortë të të nxehtit që ka përfshirë Francën. Autoritetet kanë shpallur nivelin më të lartë të alarmit në 49 departamente, ndërsa temperaturat ekstreme pritet të prekin mbi 90 për qind të popullsisë së vendit.

Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike. /Albinfo.ch