Lajme
Emocione të fuqishme në Cyrih në promovimin e pestë të librit “Për ata që s’u kthyen” të Edona B. Kelmendit
Një nga momentet më domethënëse të mbrëmjes ishte bashkëbisedimi i autores me publikun
Nga Luljeta Ademi
Në një atmosferë të mbushur me emocione, reflektim dhe vlerësim për letërsinë shqipe, në Këndin e Librit Shqip pranë Biblioteka Pestalozzi u mbajt promovimi i pestë i librit “Për ata që s’u kthyen” të autores Edona B. Kelmendi. Veprimtaria, e organizuar nga Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër në bashkëpunim me Bibliotekën Pestalozzi, mblodhi krijues, studiues, diplomatë dhe dashamirës të librit shqip.
Si media që prej vitesh ndjek dhe dokumenton jetën kulturore të shqiptarëve në Zvicër, albinfo.ch ishte i pranishëm edhe në këtë promovim, duke vazhduar mbështetjen e tij të vazhdueshme për autorët shqiptarë dhe për promovimin e veprave që pasurojnë fondin e letërsisë shqipe në diasporë. Përmes raportimeve, intervistave dhe prezantimit të botimeve të reja, albinfo.ch ka qenë një partner i rëndësishëm në afirmimin e krijimtarisë letrare shqiptare.
Programi u hap me leximin e një fragmenti nga libri nga Zamira Bytyqi, ndërsa në emër të SHKSHZ-së të pranishmit i përshëndeti Bujar Salihu. Në fjalën e tij ai theksoi se letërsia i ngjan udhëtimit të Orfeut, sepse kërkon guxim për të depërtuar në shtresat më të thella të kujtesës dhe për t’u rikthyer me të vërteta që sfidojnë harresën. Sipas tij, një rrugëtim të tillë ka përshkuar edhe autorja, e cila përvojat dhe kujtimet e bartura që nga mosha dhjetëvjeçare i ka shndërruar në një vepër me vlera të veçanta letrare dhe njerëzore.
Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtoresha e Bibliotekës Pestalozzi, Suela Jorgaqi, ndërsa Vigan Berisha vlerësoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla për ruajtjen e identitetit kulturor dhe promovimin e krijimtarisë shqiptare në diasporë.
Pjesa qendrore e mbrëmjes iu kushtua analizës së veprës nga shkrimtari dhe studiuesi Valdet N. Berisha, i cili paraqiti një analizë të thellë të dimensioneve letrare, historike dhe njerëzore të librit. Ai u ndal veçanërisht te mënyra se si kujtesa individuale shndërrohet në kujtesë kolektive dhe te forca dëshmuese që mbart kjo vepër, duke e cilësuar atë si një rrëfim që tejkalon historinë personale dhe bëhet pjesë e memories së një shoqërie.
Një nga momentet më domethënëse të mbrëmjes ishte bashkëbisedimi i autores me publikun. Përmes pyetjeve dhe komenteve të të pranishmëve, Edona B. Kelmendi ndau reflektime mbi procesin krijues, kujtimet që kanë shoqëruar shkrimin e librit dhe përgjegjësinë për t’i shndërruar përjetimet personale në një dëshmi letrare për brezat që vijnë.
Atmosfera mori një ngarkesë të veçantë emocionale në fund të promovimit, kur autorja interpretoi një poezi kushtuar nënës së saj, gruas që, siç u shpreh ajo, nuk u përkul kurrë për të rritur e vetme katër fëmijët e saj. Interpretimi u prit me emocione të dukshme dhe duartrokitje të gjata nga publiku, duke e shndërruar këtë moment në kulmin emocional të mbrëmjes.
Promovimi i pestë i librit “Për ata që s’u kthyen” konfirmoi interesimin në rritje të publikut për këtë vepër, e cila vazhdon të krijojë ura mes kujtesës personale dhe asaj kolektive, duke dëshmuar fuqinë e letërsisë për të ruajtur historinë, identitetin dhe përvojën njerëzore.
E-Diaspora
-
Kongresi i 27‑të i Federatës së mjekëve shqiptarë në Evropë u mbajt në Tiranë Me mbi 1000 pjesëmarrës të regjistruar, në Tiranë u mbajt Kongresi i 27-të i Federatës së... -
Protesta e tretë në Gjenevë kundër Ligjit 21/2024, diaspora shqiptare vazhdon mobilizimin për mbrojtjen e Vjosës dhe zonave të mbrojtura -
FSHF vazhdon kërkimin e talenteve në diasporë: “Open Stage” më 27 qershor në New York -
“Shqipëria nuk shitet” – Mërgata shqiptare proteston në Gjenevë -
Boksieri shqiptar Luis Vela shpallet kampion i WBC International në moshën 19-vjeçare
Jeta në Austri
-
Shqiptarët protestojnë sërish në Vjenë: “Jemi në mbështetje të popullit në Shqipëri” Një tubim solidarizues u mbajt për të tretën herë në Vjenë, ku dhjetëra shqiptarë shprehën mbështetjen... -
Skanerët e rinj të aeroportit të Vjenës lejojnë lëngjet deri në dy litra -
Më pak se 50% i kalojnë provimet e integrimit A2/B1 të Austrisë -
Mbylljet e Transportit Publik të Vjenës në vitin 2026: Ndërprerje të S-Bahn, U3, U4 -
Austria bie dakord për rregulla të reja për vetëvrasjen e asistuar















