Lajme

Tragjedi në Holandë: Katër të vdekur pasi një makinë përplasi grupin e nxënësve gjatë ekskursionit

Mes viktimave janë tre fëmijë dhe një i rritur, ndërsa disa nxënës të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Autoritetet kanë ndaluar një 19-vjeçar dhe kanë nisur hetimet.

Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur Holandën, ku katër persona, përfshirë tre fëmijë, kanë humbur jetën pasi një automjet u përplas me një grup nxënësish që po lëviznin me biçikleta gjatë një ekskursioni shkollor, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja tragjike ndodhi pranë Vogelwaarde, në provincën e Zeelandit, ku një grup prej 14 fëmijësh po merrnin pjesë në një aktivitet shkollor të shoqëruar nga dy të rritur.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, automjeti u përplas me grupin e çiklistëve, duke shkaktuar pasoja të rënda. Dy fëmijë dhe një i rritur humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër fëmijë, i cili kishte pësuar lëndime të rënda, ndërroi jetë më vonë në spital.

Përveç viktimave, katër fëmijë të tjerë janë plagosur rëndë dhe janë dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje intervenuan ekipet e emergjencës, policia dhe shërbimet shëndetësore, të cilat ofruan ndihmën e parë dhe transportuan të lënduarit drejt qendrave spitalore.

Autoritetet holandeze kanë bërë të ditur se një 19-vjeçar është ndaluar në lidhje me rastin dhe po hetohet për rrethanat e aksidentit, megjithëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse ai ishte drejtuesi i automjetit.

Deri më tani, policia nuk ka publikuar identitetet e viktimave apo të personave të plagosur, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë duke vazhduar.

Aksidenti ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik dhe në komunitetin lokal, ndërsa familjet e viktimave dhe qytetarët po përballen me pasojat e një prej tragjedive më të rënda të ndodhura së fundmi në Holandë./Albinfo.ch