Lajme

Pentagoni publikon dosje të reja mbi UFO-t, të papara deri më tani

Pentagoni ka bërë publike një koleksion të madh dokumentesh të deklasifikuara për fenomenet UFO, duke shënuar një tjetër hap në publikimin e të dhënave që prej kohësh kanë ngjallur interes dhe teori të ndryshme në SHBA dhe më gjerë.

Një faqe e re e lansuar nga Departamenti i Mbrojtjes (war.gov/UFO) përmban materiale të shumta, përfshirë imazhe dhe raporte mbi fenomene ajrore të paidentifikuara. Dokumentet mund të shfletohen nga publiku dhe përfshijnë detaje mbi raste të ndryshme të raportuara.

Sipas zyrtarëve, ky publikim është vetëm faza e parë, ndërsa priten edhe dosje të tjera në të ardhmen. Ish-presidenti Barack Obama më herët kishte deklaruar se ekzistenca e fenomeneve të tilla nuk mund të përjashtohet, por pa konfirmuar prova konkrete.

Qeveria amerikane ka mbledhur të dhëna për UFO prej vitesh, përfshirë edhe përmes programeve të posaçme të Pentagonit. Ekspertët, megjithatë, shpesh i shpjegojnë këto pamje me teknologji të avancuar ose fenomene tokësore, e jo domosdoshmërisht me origjinë jashtëtokësore.

Administrata aktuale ka deklaruar se nuk do të mbajë qëndrim zyrtar mbi interpretimin e këtyre të dhënave, duke i lënë qytetarët të nxjerrin vetë përfundime.

Ky nuk është publikimi i parë i këtij lloji, pasi më herët janë deklasifikuar edhe dokumente për ngjarje historike dhe çështje të tjera me interes publik.