Futboll

Zhegrova drejt largimit nga Juventusi, klubi po shqyrton shitjen e tij

Mediat në Itali raportojnë se Edon Zhegrova nuk ka bindur në sezonin e parë dhe “Zonja e Vjetër” mund ta shesë për të shmangur humbje financiare.

Rrugët e Juventus me futbollistin kosovar Edon Zhegrova po duken gjithnjë e më afër ndarjes, përcjell albinfo.ch.

Sipas mediave italiane, përfshirë Calciomercato, klubi po e shqyrton seriozisht mundësinë e shitjes së lojtarit pas një sezoni të parë të konsideruar zhgënjyes.

Raportimet theksojnë se Zhegrova nuk ka arritur të bindë me paraqitjet e tij, duke pasur pak minuta në fushë dhe ndikim të kufizuar në lojë. Një nga momentet e kritikuara ka qenë ndeshja ndaj Bolognas më 19 prill, ku disa gabime të tij në posedim thuhet se kanë irrituar stafin teknik.

Në total, sulmuesi kosovar ka regjistruar një numër të kufizuar paraqitjesh gjatë sezonit, me mesatare të ulët minutash për ndeshje.

Klubi italian, sipas raportimeve, po e vlerëson edhe aspektin financiar, duke mos përjashtuar shitjen e tij për rreth 11.4 milionë euro për të shmangur humbje më të mëdha, pasi ai ishte blerë për një shumë më të lartë.

Megjithatë, Zhegrova thuhet se mbetet i fokusuar për të fituar më shumë minuta deri në fund të sezonit dhe për të ndryshuar opinionin e klubit. Ndërkohë, për të është raportuar interesim nga disa klube të Premier League, përfshirë Everton./Albinfo.ch