Lajme
Zvicra sot në zi kombëtare, ceremoni shtetërore dhe homazhe mbarëkombëtare për viktimat e Crans-Montana
Ceremonia qendrore shtetërore zhvillohet nga ora 13:45 në Qendrën e Ekspozitave dhe Tubimeve CERM në Martigny, rreth 50 minuta larg nga Crans-Montana
Në një heshtje të rrallë kombëtare, Zvicra ndalon sot ritmin e përditshëm për t’u përkulur me dinjitet përpara jetëve të humbura në tragjedinë e rëndë të Crans-Montana. 9 janari 2026 shënohet si ditë zie kombëtare, një moment reflektimi i thellë, solidariteti njerëzor dhe përgjegjësie kolektive, ku dhimbja private shndërrohet në kujtesë publike dhe heshtja merr kuptim shtetëror.
Zia kombëtare po shënohet sot në të gjithë vendin me ceremoni përkujtimore, momente heshtjeje dhe gjeste simbolike solidariteti. Ceremonia qendrore shtetërore zhvillohet nga ora 13:45 në Qendrën e Ekspozitave dhe Tubimeve CERM në Martigny, rreth 50 minuta larg nga Crans-Montana. Ajo organizohet nga autoritetet federale në bashkëpunim me Kancelarinë Shtetërore të Valais dhe Kishat Kombëtare, dhe përfshin lexime përkujtimore, gjeste simbolike, interpretime muzikore dhe fjalime zyrtare.
Në ceremoni marrin pjesë Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, këshilltarët federalë Ignazio Cassisdhe Beat Jans, si dhe kancelari federal Viktor Rossi. Të ftuar janë familjarët e viktimave, përfaqësues fetarë dhe delegacione nga shtete që janë prekur drejtpërdrejt nga tragjedia ose kanë ofruar mbështetje. Nga jashtë vendit pritet pjesëmarrja e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Presidentit të Italisë, Sergio Mattarella, si dhe Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Në orën 14:00, në mbarë vendin mbahet një minutë zie kombëtare. Kambanat e kishave bien në të gjitha kantonet, duke shënuar një moment të përbashkët ndalese dhe reflektimi. Autoritetet federale dhe komunitetet fetare kanë ftuar qytetarët që këtë çast ta kushtojnë kujtimit të viktimave, solidaritetit me të plagosurit dhe familjet e tyre, si dhe mirënjohjes për të gjitha shërbimet emergjente.
Dita e zisë po shënohet edhe përmes aktiviteteve përkujtimore lokale. Në Cyrih, qytetarët janë ftuar në një minutë heshtjeje në Münsterhof, e ndjekur nga një aktivitet përkujtimor në Fraumünster. Në Bazel, autoritetet dhe qytetarët mblidhen në sheshin përpara komunës, ndërsa në mbrëmje zhvillohet një reflektim ekumenik.
Edhe transporti publik është përfshirë në përkujtim. Swiss Federal Railways (SBB) ka ulur flamujt në gjysmë shtize në stacionet hekurudhore dhe po informon gjatë gjithë ditës për ditën e zisë përmes ekraneve, njoftimeve zanore dhe aplikacionit. Në orën 14:00, muzika e sfondit në stacione ndërpritet, ndërsa sinjalet e trenave dëgjohen si shenjë nderimi.
Ceremonia qendrore në Martigny transmetohet drejtpërdrejt në televizion dhe radio, përfshirë SRF, RTS dhe RSI, duke u mundësuar qytetarëve në mbarë vendin dhe diasporës ta ndjekin ceremoninë në kohë reale. Njëkohësisht, shumë kisha në të gjithë Zvicrën mbeten të hapura gjatë gjithë ditës për heshtje, lutje dhe përkujtim personal.
Në shenjë respekti dhe solidariteti ndërkombëtar, edhe përfaqësitë diplomatike shqiptare në Zvicër kanë ulur flamujt kombëtarë në gjysmë shtize, duke iu bashkuar zyrtarisht zisë kombëtare dhe duke shprehur mbështetje ndaj institucioneve dhe popullit zviceran.
Dita e sotme mbetet një shenjë e fortë se, përballë tragjedisë, Zvicra zgjedh unitetin, dinjitetin dhe humanizmin. Nga institucionet federale te qytetarët, nga përfaqësitë diplomatike te komunitetet fetare, vendi flet sot me një zë të vetëm: respekt për jetën, solidaritet me të prekurit dhe përkushtim që kujtesa e viktimave të mos shuhet në heshtje, por të shërbejë si ndërgjegje mabarënjerëzore për të ardhmen.
Për albinfo.ch Luljeta Ademi
E-Diaspora
-
Paradoksi i kohës sonë: Arritjet e grave rriten, por edhe dhuna në familje Zadi Balassi është udhëheqës projektesh në ndërtim të lartë dhe të ulët pranë Qytetit të Cyrihut.... -
AlphaTECH sjell zgjidhje të integruara të kallëpimit për projektet e ndërtimit -
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë -
Sunny Hill po kthehet në pikën kryesore të takimit të diasporës shqiptare -
“Sot me 200 mijë euro blini një apartament ëndrrash në Shqipëri, pas disa vitesh vetëm gjysmën”
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve













