Muzikë
Vjena konfirmon datën e shortit dhe ceremonisë së dorëzimit për Eurovision 2026
Vjena ka konfirmuar zyrtarisht se shorti i ndarjes së gjysmëfinaleve dhe ceremonia e dorëzimit të qytetit pritës për Festivalin e Këngës “Eurovision 2026” do të mbahet më 12 janar. Kjo datë shënon edhe fillimin zyrtar të periudhës së Vjenës si qyteti organizator i edicionit të ardhshëm të Eurovisionit, përcjell albinfo.ch.
Ceremonia e dorëzimit do të zhvillohet me një akt simbolik, ku Bazeli do t’i dorëzojë Vjenës “Dhuratën e Miqësisë”, duke zëvendësuar Emblemën tradicionale të qytetit pritës, e cila ishte përdorur në edicionet e konkursit ndërmjet viteve 2007 dhe 2024.
Shorti i ndarjes së gjysmëfinaleve do të zhvillohet në dy pjesë. Në pjesën e parë do të përcaktohet se në cilën gjysmëfinale do të transmetohen, votojnë dhe performojnë pesë vendet e parakualifikuara: Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Austria, si vendi pritës i këtij edicioni.
Në pjesën e dytë të shortit do të vendoset se në cilën gjysmëfinale dhe në cilën gjysmë të saj do të performojnë vendet e tjera pjesëmarrëse. Ashtu siç ndodh që nga viti 2013, rendi i saktë i performancave do të përcaktohet më vonë nga producentët e spektaklit, pasi të jenë përzgjedhur të gjitha këngët pjesëmarrëse.
Siç u bë e ditur nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) në muajin gusht, “Eurovision 2026” do të mbahet në Vjenë, pas fitores së Austrisë në edicionin e vitit 2025 në Bazel, ku këngëtari JJ triumfoi me këngën “Wasted Love”.
Sipas kalendarit zyrtar, dy gjysmëfinalet do të zhvillohen më 12 dhe 14 maj, ndërsa Finalja e Madhe është planifikuar për 16 maj 2026. Konkursi do të mbahet në Wiener Stadthalle, arenë e njohur që ka pritur edhe Eurovisionin në vitin 2015 dhe që ka kapacitet për deri në 16 mijë spektatorë.
Organizatorët pritet të publikojnë detaje të tjera organizative dhe artistike në muajt në vijim, ndërsa interesi për edicionin 2026 tashmë ka nisur të rritet në mbarë Evropën.
Të tjera nga Muzikë
E-Diaspora
-
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 Ambasada e Kosovës në Austri dhe Lidhja e Shkrimtarëve “Aleksandër Moisiu” organizojnë promovimin dhe bashkëbisedim me... -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana” -
Nju-Jork
Tragjedi në Manhattan: 56-vjeçarja shqiptare humb jetën pasi ra në një pusetë elektrike -
Londër
Kur i thanë “nuk je për këngëtare”, Dua Lipa vendosi të mos dorëzohet -
Finlandë
Basha Troni, regjisori me rrënjë shqiptare që po spikat në Finlandë
Jeta në Austri
-
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri Përmes pikturave, artisti Fejzullahi paraqet ndërthurjen e dy kulturave, asaj shqiptare dhe austriake, duke sjellë një... -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan” -
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë -
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet













