Kosova
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur
Manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe ekspozitën e piktores nga Prishtina, Valbona Gashi
28 Nëntori, Dita e Flamurit ose e Pavarësisë së Shqipërisë është shënuar fundjavën që shkoi, gjithandej Zvicrës, me aktivitete të shumta kulturore festive. Në shumicën prej tyre, siç është bërë tashmë traditë, mbizotëronte muzika, vallja, recitimi, të gjitha këto të “ilustruara” me prezantimin e veshjeve të bukura e të larmishme kombëtare të trevave shqiptare.
Ndërkaq, manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe ekspozitën me krijime të piktores dhe pedagoges së artit nga Prishtina, Valbona Gashi.
Pas hapjes së ekspozitës nga kryetari i ansamblit “Trojet”, Zeqë Gashi, mbi punimet e ekspozuara në hollin e qendrës “Töss” të Winterhurit, një fjalë të zgjeruar e ka mbajtur piktori, publicisti dhe shkrimtari, Gani Bytyçi.
Ai ka shpalosur vlerat e krijimtarisë së zonjës Gashi, duke folur edhe për fazat nëpër të cilat ajo ka kaluar. “Piktura që kemi sot këtu, është ajo e periudhës pas një pauze të saj krijuese”, ka thënë Bytyçi. Por kjo pjesë është vetëm një kapitull në veprën e saj artistike. Në të vërtetë, kjo është paraqitja e tretë e Valbonës në Zvicër, (pas Gjenevës e Bernës) me këtë ekspozitë lëvizëse. Në këto ekspozita, autorja ka sjellë mbi 20 vepra arti.
Ato sjellin dy motive, pikturë dhe medaljone. Medaljoni, ilir në këtë rast, është simbol, është kujtesë dhe mesazh. Mënyra dhe lënda me të cilën artistja e bën medaljonin artistik, është krejt e veçantë. Kjo është fusha e saj e preferuar e krijimtarisë artistike. Edhe titulli i kësaj ekspozite, GJURMË NË MEDALION, nuk është i rastit. Ai është më shumë se titull. Është përmbajtje e lashtësi. Janë gjurmët tona antike. Këto medaljone më kujtojnë profesorin tim (shumë të dashur) të artit, Engjëll Berishën”, shprehet tutje Bytyçi.
Duke folur për rreth 20 punimet e ekspozuara, ai thotë më titje “Në shikim të parë, pandehim se të gjitha ato janë peizazhe, por nuk janë të tilla, ndonëse janë pamje, që asociojnë me peizazhin. Piktori Joan Mirò pati thënë “Unë nuk pikturoj atë që shoh, por atë që e mendoj”. Edhe kjo pikturë, e tëra është e menduar (…). Aty shohim shpirtin e Artistes me tërë koloritin e tij!”.
Edhe piktori tjetër nga Zvicra, Urim Berisha, ka folur shkurt për vlerat e punimeve të ekspozuara nga kolegia e tij, Valbona Gashi. “Arti është një veprimtari ku krijuesi paraqitet në mënyrën më të sinqertë. Në art, koha dhe hapësira nuk ekzistojnë, ka thënë veç tjerash z. Berisha, duke ju qasur bukurisë dhe papërkufizueshmërisë së artit, edhe të autores, Valbona Gashi.
Për ekspozitën dhe piktoren, me fjalë afirmative ka folur edhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z. Rexhep Demiri. Ai ka shprehur kënaqësinë që në një manifestim të diasporës kemi edhe një ekspozitë të tillë, me vlera të dëshmuara artistike dhe ka përgëzuar autoren, zonjën Gashi. Një përshëndetje rasti u ka drejtuar të pranishmëve edhe zëvendëskonsullja e Republikës së Kosovës në Cyrih, zonja Ardita Mustafa.
Me fjalë të tjera përgëzimi për piktoren dhe organizatorët, para publikut janë paraqitur edhe një numër veprimtarësh dhe krijuesish të komunitetit shqiptar të Zvicrës.
Skena, për artistët e vegjël


Në hapje të programit ishte vendosur një recital me motive patriotike nga Shqipdon Lipaj, i shoqëruar me një “sfond” të përbërë nga valltarë të ansamblit.
Pas kësaj hapjeje frymëzuese të manifestimit, publikun e priste salla e madhe, e stërmbushur ku do të ndodhte aktiviteti kryesor festiv, me këngë dhe valle popullore të përgatitura me shumë përkushtim nga artistët entuziastë të Ansamblit “Trojet”.
Moderatorja Sherife Ejupi – Zeqiri ka drejtuar me përkushtim gjithë mbrëmjen, duke prezantuar pjesëmarrësit e shumtë të programit artistik.
Sigurisht, nuk kanë munguar as fjalët përshëndetëse të zyrtarëve nga përfaqësitë përkatëse diplomatike: Shkëlqesia e tij, Z. Rexhep Demiri, nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut dhe zonja Shukrije Ramadani, nga Ambasada e Kosovës, në Bernë.
Të dytë kanë përgëzuar punën me përkushtim që po bëjnë të rinjtë dhe të rejat e brezit të dytë e të tretë për të ruajtur dhe kultivuar traditat kulturore të atdheut.
Një pasuri ngjyrash dhe tingujsh
Programi që u prezantua në vazhdim në dërrasat e skenës në Winterthur, ishte një buqetë dritash e ngjyrash, tingujsh dhe fjalësh që shpërthenin plot frymëzim nga fëmijët dhe të rinjtë e ansamblit “Trojet”.
Pikat artistike si Koreodrama “Gjurmët në heshtje”, vallja “Suitë kosovare” (grupi i të rriturve), “Vallja e Tiranës” dhe “Vallja e malësisë (grupi i të vegjëlve); këngët e kënduara nga Marisa Murtezi, Melisa Tafilaj, Alejna Ukshini , Elta Gjota, Medina Xheladini, Elma Morina dhe nga Kori mysafir nga Cyrihu, “Lyra”, pastaj vëllezërit Arbnor e Rrezart Kuqi janë disa nga pikat kulmore artistike të prezantuara para publikut në Winterthur.


Programi është përmbyllur me këngë nga këngëtaret, motrat Luljeta e Drita Fetahaj.
Meritat për realizimin dhe mbarëvajtjen e programit artistik u takojnë udhëheqësve të grupit Artistike apo të ansamblit, respektivisht treshes Donjeta & Ensat & Leotrim. Ata punojnë me tri grupet e valltarëve dhe janë përgjegjës për krijimin e valleve të reja që prezanton ansambli. Këta dhe sidomos grupi (i madh) i fëmijëve duhen përgëzuar në mënyrë të veçantë për kënaqësinë artistike që na dhanë dhe po na japin në vazhdimësi në programet e ansamblit “Trojet”.
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”



















