Kosova
Konfirmohet arrestimi i një veterani të UÇK-së në Serbi
Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, konfirmoi se Serbia ka arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së.
Sipas tij, Avni Qenaj nga fshati Romajë i Prizrenit, që u arrestua sot, ishte pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani në Koshare.
“Ai është arrestuar dhe sipas informacioneve që kemi, me gjasë ia kanë gjetur kartelën e anëtarësisë së veteranit që e kemi, në xhep kur e kanë kontrolluar. Ndërkaq, sipas informacioneve që morëm ne, Qenaj kishte kaluar dy-tri herë andej [nëpër Serbi] dhe nuk ka pasur ndonjë problem”, tha Syla, transmeton albinfo.ch.
Më herët, Ministria për Punë të Brendshme të Serbisë tha se është arrestuar një ish-pjesëtar i UÇK-së, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet A.Q.
Sipas kësaj ministrie, ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer veprën penale të organizimit të një grupi dhe nxitjen për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Në njoftim pretendohet se i dyshuari në prill të vitit 1998 i është bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në komunën e Prizrenit dhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” ka marrë pjesë në sulmin ndaj posti kufitar serb në Koshare në vitin 1999.
Të dyshuarit A.Q. (1973) i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe MPB-ja serbe shtoi se në prokurorinë kompetente ndaj tij do të dorëzohet një kallëzim penal.
Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë reaguar për këtë pretendim të Serbisë.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar me pyetje Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.
Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.
Në korrik të këtij viti, Lulzim Halili u arrestua nga Serbia nën dyshimet për krime lufte dhe nën pretendimet se kishte qenë pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare. Atëbotë, Organizata e Veteranëve të UÇK-së, tha se emri i tij nuk figuronte në listën e veteranëve e as në atë të pjesëmarrësve në këtë betejë.
Në Koshare ishte një post ushtarak i Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku nga 9 prilli 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s mbi RFJ, për 67 ditë u zhvilluan luftime mes ushtrisë jugosllave dhe UÇK-së.
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë më vonë bëri të ditur se në betejën e Koshares u vranë 108 pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave. Zyrtarët nga Kosova thanë se janë vrarë 114 pjesëtarë të UÇK-së. Autoritetet jugosllave thanë se NATO bombardoi Kosharen në maj të vitit 1999.
Beteja në këtë post kufitar mes RFJ-së dhe Shqipërisë përfundoi më 14 qershor, kur Ushtria e Jugosllavisë u tërhoq nga Kosova në bazë të marrëveshjes me të cilën përfunduan bombardimet e NATO-s mbi RFJ.
NATO-ja i nisi sulmet në caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më 9 prill në Serbi shënohet si një betejë heroike e forcave ushtarake të Jugosllavisë, pjesë autonome e së cilës në atë kohë ishte Kosova, ndërsa në Kosovë kremtohet si fitore e UÇK-së.
Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.
E-Diaspora
-
AlphaTECH sjell zgjidhje të integruara të kallëpimit për projektet e ndërtimit Në qendër të ofertës është AlphaN sistemi i kallëpimit të mureve, i projektuar për të kombinuar... -
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë -
Sunny Hill po kthehet në pikën kryesore të takimit të diasporës shqiptare -
“Sot me 200 mijë euro blini një apartament ëndrrash në Shqipëri, pas disa vitesh vetëm gjysmën” -
Danimarkë
23-vjeçarja shqiptare në Danimarkë ndërton karrierë të suksesshme në ekonomi dhe kërkim shkencor
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve












