Muzikë

Festivali Folklorik Mbarëkombëtar në Lozanë – mes krenarisë dhe mesazheve të bashkimit

Fitues i madh i festivalit u shpall Ansambli “Gëzuar” nga Gjeneva. Organizatorë të palodhur: "Ilirët" e Lozanës me Ilir Bytyqin dhe Fatime Kalimashin

Në një ngjarje të rëndësishme dyditore, shqiptarët e diasporës sollën në zemër të Zvicrës një festival të suksesshëm folklorik, ku tradita, arti dhe identiteti kombëtar u shpalosën në tri breza.

Festivali Folklorik Mbarëkombëtar i mbajtur për herë të parë në Lozanë u mbyll me emocione të mëdha dhe energji të papërshkrueshme, duke lënë pas dy ditë të mbushura me këngë, valle, ngjyra dhe mall për atdheun. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme, e organizuar nga Ansambli “Ilirët” nën udhëheqjen e Ilir Bytyqit në bashkëpunim me Fatime Kalimashin, mblodhi ansamble nga e gjithë Zvicra dhe Europa për të dëshmuar fuqinë e trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë.

Organizatorët e festivalit: Ilir Bytyqi dhe Fatime Kalimashi

Në një atmosferë festive, me pjesëmarrjen e qindra valltarëve të të gjitha moshave, festivali vërtetoi se folklori shqiptar jeton dhe zhvillohet me pasion edhe larg trojeve amtare. Për dy ditë me radhë, skena e Lozanës u mbush me jehonën e çiftelisë, opingave dhe veshjeve shumëngjyrëshe të të gjitha krahinave shqiptare.

Fitues i Festivalit u shpall Ansambli “Gëzuar” nga Gjeneva, me vallen “Gëzuar 2” të koreografit Xhemaili Berisha dhe vallen “Mërgimi” të koreografit Ilir Loku – një krijim artistik i fuqishëm që përshkruan rrugëtimin e shqiptarëve në diasporë në tri kohë: dje, sot dhe nesër, përmes tri brezave: prindërve, fëmijëve dhe nipërve. Vallja e tyre u shoqërua me muzikë të përgatitur enkas nga Ylber Hasani.

Fadil Avdiu, udhëheqës i Ansamblit “Gëzuar”, tha për Albinfo.ch: “Kemi 20 vite që funksionojmë në Gjenevë me pjesëmarrje nga tri breza. Jemi ndjerë të respektuar dhe të përkrahur nga organizatorët ‘Ilirët’. Jemi stërvitur çdo ditë nga ora 18:00 deri në 22:00, pa mungesa, përkundër angazhimeve në shkollë apo punë. Vallja ‘Mërgimi’ ishte një premierë që na emocionoi të gjithëve. Mesazhi im është i qartë: Rrnoftë bashkimi kombëtar, dhe mallkuar qoftë ai që nuk na do bashkë.”

Ajet Cërvadiku

Vendi i dytë u nda për grupin “AlbaKult” nga Berna, i cili u shpall si grupi me instrumentalistët më të mirë, falë përkushtimit për ruajtjen dhe zhvillimin e traditave të çiftelisë dhe këngës popullore. Udhëheqësi i tyre, Ajet Cërvadiku, deklaroi: “Folklori ka nevojë për ripërtritje dhe modernizim të kujdesshëm, që të flasë edhe me brezat e rinj. Synimi im është që çdo i ri të dijë të luajë çiftelinë dhe të njohë rrënjët e tij. Ky festival ishte një takim i mrekullueshëm mes brezave dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të çuar përpara kulturën tonë.”

Ndër të ftuarit e nderit ishte Musa Kamenica, kryetar i Kuvendit Komunal të Lozanës, i cili theksoi rëndësinë e ngjarjeve të tilla: “Zvicra është një vend që na lejon të kultivojmë identitetin tonë. Kjo nuk është një përbuzje ndaj integrimit, përkundrazi, është vlerë e shtuar. Të rinjtë shqiptarë duhet ta shohin kulturën tonë si pasuri dhe jo si barrë.”

Dilaver Kryeziu, etnomuzikolog me përvojë, u shpreh për Albinfo se ishte thellësisht i impresionuar nga ruajtja e detajeve etnografike: “Ishin të përgatitur deri në opanga dhe shamia. Publiku do të shohë vetëm shqip me entuziazëm. Ruajtja e kostumeve, këngëve, valleve e karaktereve krahinore dëshmon se ne kemi një trashëgimi që s’mund të na e tjetërsojë askush.”

Festivali u shënua edhe nga paraqitja e Flora Balajt, e cila prezantoi një pasqyrë të pasur të veshjeve tradicionale shqiptare nga krahina të ndryshme, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut me elegancën dhe përkushtimin e saj.

Në mesin e personaliteteve mbështetëse ishte dhe Gzim Rama, përfaqësues i Bashkisë së qytetit Moudon, i cili tha: “Ky festival është një mënyrë konkrete për të ruajtur identitetin tonë. Vajza ime është pjesë e Ansamblit ‘Ilirët’ dhe kjo më bën krenar – sepse ajo po jeton e transmeton vlerat që i përkasin gjakut të saj.”

Ndërkohë, Ema Hoti, e shpallur “Miss Sympathy in Switzerland” ndër 250 vajza pjesëmarrëse, rrëmbeu vëmendjen e publikut jo vetëm për bukurinë por edhe për përkushtimin ndaj kulturës: “Jam lindur në Zvicër, por kur vesh kostumin dhe vallëzoj shqip, ndihem si në shtëpinë time. Kjo është një pjesë e imja që nuk dua ta humbas.”

Në një prononcim për Albinfo.ch, Ilir Bytyqi, kryetar i Ansamblit organizator “Ilirët”, veç tjerash tha: “Ky festival ishte një emocion i madh për mua, sepse jehona e tij tregoi se kultura jonë ka forcë të jashtëzakonshme, si në diasporë ashtu edhe në trojet shqiptare. E përjetova si një sukses kolektiv të gjithë komunitetit tonë. Kur jemi të bashkuar, arrijmë të ruajmë dhe promovojmë kulturën tonë me dinjitet dhe krenari.”

Ai shtoi: “Diaspora shqiptare është plotësisht e gatshme të krijojë institucione të qëndrueshme kulturore. Ne kemi energjinë, talentin dhe potencialin – mungon vetëm më shumë strukturë dhe një vizion afatgjatë mbi profesionalizëm dhe bashkim. Nëse i bashkojmë këto elemente, ne jo vetëm që ruajmë traditat, por krijojmë institucione të mirëfillta që nderojnë identitetin tonë.”

Për organizimin e këtij festivali, Ilir Bytyqi dhe bashkëpunëtorja e tij e palodhshme, Fatime Kalimashi, janë vlerësuar nga të gjithë pjesëmarrësit për seriozitetin, pritjen mikpritëse dhe aftësinë për të krijuar një ngjarje që ngjalli emocion, mall, dhe mbi të gjitha – krenari shqiptare.

Ky festival nuk ishte vetëm një ngjarje folklorike. Ishte një gjurmë identitare, një urë mes brezash dhe një testament i gjallë i kulturës sonë.

Performuesit në skenë

Nata e parë – 15 nëntor:

Shoqata “Bashkimi” – Uster

Shoqata “Pavarësia” – Gjermani

Iliria – St. Gallen

Shoqata Kulturore “Sharri” – St. Gallen

Valltarët “Shqiponjat” – Itali

SHKA “Ilirët” – Lausanne

Nata e dytë – 16 nëntor:

Ansambli “Gëzuar” – Gjenevë

SHKA “Ilirët” – Lozanë

Ansambli “Trojet” – Winterthur

Shoqata “Etnika” – Gjenevë

Shoqata “Bashkimi” – Bernë

Rinia Contact – Gjenevë

SHKA “Ilirët” – Lozanë

albinfo.ch
albinfo.ch

 

(Fotot: Butrint Bytyqi)