Lajme

Donald Trump kërcënon BBC-në me padi për dokumentarin mbi 6 Janarin

Donald Trump i ka dërguar BBC-së një letër ku kërcënon me veprime ligjore, duke intensifikuar krizën për transmetuesin publik britanik mbi mënyrën se si është trajtuar periudha e administratës së tij.

Sipas raportimeve të BBC News të hënën, letra vjen vetëm një ditë pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm dhe të shefes ekzekutive të lajmeve të korporatës, të cilët u kritikuan për mbulimin e deklaratave të Trump më 6 janar 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan Kongresin Amerikan.

Një zëdhënës i BBC-së tha se letrën do ta shqyrtojnë dhe do t’i përgjigjen në kohën e duhur. Detajet e plota të saj nuk janë bërë publike.

Tim Davie, Drejtori i Përgjithshëm, dhe Deborah Turness, shefja e lajmeve, njoftuan dorëheqjet e tyre të dielën pas një vale kritike mbi supozimin e mungesës së paanshmërisë politike të BBC-së dhe sulmeve të drejtpërdrejta nga figura të së djathtës britanike dhe ekipi i Trump-it.

Trump dhe zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt, kritikuan BBC-në për “lajme të rreme” dhe përshëndetën dorëheqjet përmes rrjeteve sociale, duke e quajtur çiftin e larguar “të pandershëm” dhe të përfshirë në përpjekje për të ndikuar zgjedhjet presidenciale.

Së fundmi, gazeta konservatore The Telegraph publikoi një memo nga ish-këshilltari i standardeve të BBC-së, Michael Prescott, ku përmendeshin disa dështime të supozuara të transmetuesit, duke përfshirë mbulimin e çështjeve transgjinore, konfliktin në Gaza dhe periudhën e presidencës së Trump.

Pretendimi kryesor ishte se Panorama kishte redaktuar fjalimin e Trump në mënyrë selektive, duke krijuar përshtypjen se ai kishte thënë: “Do të ecim drejt Kapitolit dhe do të luftojmë.” Në fakt, fjalia ishte nxjerrë nga pjesë të ndryshme të fjalimit, duke lënë jashtë segmentet ku Trump kërkonte që mbështetësit të vepronin paqësisht.

BBC është e detyruar të qëndrojë neutrale, dhe nuk është hera e parë që përballet me akuza për paanshmëri. Megjithatë, sulmet e fundit nga e djathta britanike ndodhin në një kohë delikate, ndërsa qeveria po shqyrton modelin e financimit të BBC-së.

Në deklaratën e dorëheqjes, Davie pranoi se “janë bërë disa gabime dhe përgjegjësia përfundimtare bie mbi mua.” Kryetari i BBC-së, Samir Shah, kërkoi ndjesë ndaj administratës Trump për mbulimin, por hodhi poshtë pretendimet e Prescott se BBC kishte tentuar të fshehte dështimet e saj.

Shah sqaroi se dokumentari mbi Trump ishte diskutuar nga Komiteti i Udhëzimeve Redaksionale dhe Standardi i BBC-së dhe ankesat e fundit çuan në “reflektim të mëtejshëm.” Ai pranoi se mënyra e redaktimit mund të kishte krijuar përshtypjen e një thirrjeje për dhunë dhe kërkoi ndjesë për gabimin.

Në lidhje me mundësinë e një padie nga Trump, Shah tha: “Nuk e di ende, por ai padit shpesh. Duhet të jemi të përgatitur për çdo rezultat.”