Lajme

Përparim Avdili hap fushatën për kreun e qytetit të Cyrihut

Veç synimit për postin e kryebashkiakut, tani nga Përparim Avdili varet nëse FDP do të mund ruajë vendin e saj të dytë në ekzekutivin e Cyrihut

Përparim Avdili ka hapur mbrëmë fushatën e tij për kryebashkiak të Cyrihut, zgjedhja e të cilit mbahet më 8 mars 2026. Siç kemi shkruar edhe më parë, Avdili është nominuar nga partia e tij, FDP (Partia Liberale) për postin e të parit të qytetit më të madh të Zvicrës, ku ai është kryetar partie dhe asamblist në Parlamentin e qytetit.

Në “paket” me kandidimin për kryebashkiak shkon edhe ai për ekzekutivin e qytetit, i cili përbëhet nga disa parti, që marrin pjesën e tyre të pushtetit në varësi të votave.

Aktualisht FDP-ja ka dy anëtarë në qeverinë e qytetit të Cyrihut. Meqë njëri prej tyre (Filippo Leutengger) do të pensionohet, kjo parti duhet të luftojë për mbrojtjen e vendit që lë bosh ky i fundit në qeveri. Dhe kjo detyrë i është besuar pikërisht Përparim Avdilit, një politikan temperament, konsekuent në prirjet e tij liberale dhe me prani të madhe në mediat zvicerane. Shkurt: Tani varet nga ai të sigurojë që FDP-ja të mos humbasë vendin e saj të dytë në ekzekutivin e Cyrihut. Për këtë arsye gara zgjedhore që udhëheq Përparimi pritet të jetë me intensitet të lartë dhe me ngarkesë emocionale.

Në këtë frymë ka qenë edhe hapja e fushatës zgjedhore mbrëmë, në Cyrih. Në një ambient të këndshëm në një lokal me renome në Cyrih (Klub Mascotte), me një publik të zgjedhur dhe me një politikan elokuent si Përparim Avdili, gara e filluar premton sukses për kandidatin.

Mbrëmjen e ka drejtuar moderatorja e njohur nga Cyrihu Serap Yavuz ndërsa kandidatin e kanë prezantuar Sonja Rueff-Frenkel (FDP), anëtare e këshillit kantonal të kantonit të Cyrihut dhe Karin Weyermann (Partia e Qendrës, Die Mitte), kandidate për ekzekutivin e Cyrihut.

Pas kësaj, skena i ka takuar plotësisht Përparim Avdilit, i cili me mjeshtërinë dhe karizmin që disponon, e ka zotëruar atë në mënyrën më të mirë.

Ai ka nisur prezantimin e tij duke vendosur theksin në prejardhjen e tij si fëmijë migrantësh shqiptarë në Zvicër, një pozitë kjo sigurisht jo shumë favorizuese për karrierën e tij. Ai ka falënderuar prindërit (që ishin të pranishëm në sallë) për mbështetjen e tyre në çdo hap të jetës së tij.

Por nuk ka lënë pa theksuar se ata, ashtu sikurse edhe i gjithë brezi i tyre, nuk i preferonin që si person me prejardhje të huaj “të bie në sy”. Pikërisht në këtë pikë Avdili mendon se duhet ndryshuar mendësia. Kjo për faktin se ai e konsideron veten qytetar të Cyrihut dhe të Zvicrës, me të drejta dhe detyrime të barabarta, me të gjithë të tjerët.

Me vullnetin dhe fuqinë e motivit që karakterizon brezin e dytë ai ka arritur të kalojë disa barriera të forta për të ardhur në pozitën ku është sot: atë të kandidatit serioz për të marrë në dorë qeverisjen e qytetit më të madh të Zvicrës, Cyrihut.

Avdili më tej është përqendruar në temat tipike zgjedhore për qytetin e Cyrihut, duke goditur ato që ai i ka quajtur dështime të qeverisë së qytetit, të mbizotëruar nga “e kuqja dhe e gjelbra” (SP dhe Grüne). Këtu hyjnë edhe manipulimet me banesat me çmime të përballueshme, që, sipas tij u janë ndarë stafit administrativ ose personave a familjeve me gjendje të mirë financiare. Ai ka pleduar për shmangien e burokracisë në proceset administrative që dëmton këtë sektor dhe për shpërndarje më të drejtë të banesave të subvencionuara nga shteti.

Ai ka ironizuar edhe me kundërkandidatin e tij nga PS, Raphael Golta, duke thënë se “Kryebashkiaku i ardshëm nuk duhet që patjetër të ketë emrin Golta”, një batutë kjo që dukej e shkruar edhe në ekranin e madh mbi podium. Me këtë dhe aludime të tjera Avdili ka sinjalizuar se është koha për ndryshim në Cyrih, ndryshim që do të pasqyronte edhe gjendjen reale në popullatën e qytetit. Aty pra, ku edhe mbiemrat si Avdili e të tjerë, kanë të drejtë të plotë qytetarie, sikur ata Golta etj.

Mbrëmja ka vazhduar me një aperitiv të pasur nga kuzhina shqiptare dhe me performancën e bendit “Dom Sweden”.