Portrete të firmave

Dorina Karafili Ekinci – Specialiste finance-kontabiliteti ndërmjet Zvicrës Gjermanisë dhe Francës

 Pas mbarimit të gjimnazit në Shqipëri, Dorina Karafili Ekinci ka bërë një Bachelor në Universitetin e Ekonomisë të Vjenës, në degën e Administrim Biznesit degën e Administrim Biznesit. Nga viti 2013 ajo është transferuar në Zvicër ku ka filluar punë në një kompani të njohur kontabiliteti në Bazel. Pas akumulimit të një përvoje të çmuar, ajo në vitin 2021 ka krijuar kompaninë e saj “Dotax Treuhand”. Në vazhdim ajo flet për punën e saj dhe sfidat me të cilat përballet në profesion.

Albinfo.ch: Çfarë do të thotë të jesh kontabiliste në Zvicër?

Karafili Ekinci: Të jesh kontabiliste në Zvicër është një përgjegjësi e madhe, pasi sistemi ekonomik dhe financiar i vendit është shumë i zhvilluar dhe i rregulluar. Roli i një kontabilisti/kontabilisteje nuk kufizohet vetëm në mbajtjen e llogarive, por përfshin gjithashtu këshillimin strategjik dhe zbatimin e ligjeve tatimore dhe financiare në favor të klientëve. Një kontabilist në Zvicër ndihmon në planifikimin financiar, optimizimin e tatimeve dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve ligjore, duke siguruar që klientët të veprojnë brenda kornizës ligjore dhe ekonomike.

Albinfo.ch: Ju punoni si kontabiliste dhe keni krijuar kompaninë tuaj “Dotax Treuhand”. Çfarë rruge keni ndjekur deri këtu?

Karafili Ekinci: Rruga ime filloi në Shqipëri, ku përfundova gjimnazin me profil të përgjithshëm. Pas kësaj, vazhdova studimet Bachelor në Universitetin e Ekonomisë të Vjenës në Austri në degën e Administrim Biznesit. Pas përfundimit të studimeve në Vjenë, në vitin 2013 u transferova në Zvicër dhe fillova punë në një kompani të njohur kontabiliteti në Bazel. Paralelisht, vazhdova specializimet në fushën e financave, kontabilitetit dhe payroll-it në Zvicër. Eksperienca ime në Zvicër më ndihmoi të kuptoj sfidat dhe mundësitë që bizneset hasin në këtë treg kompleks. Në vitin 2021 vendosa të krijoj kompaninë time “Dotax Treuhand” për të ofruar shërbime të personalizuara dhe profesionale për bizneset në fushën e financave, tatimeve dhe payroll-it.

Albinfo.ch: Në cilat fusha jeni të specializuar dhe ku e keni fokusin tuaj?

Karafili Ekinci: Jam e specializuar në:  Kontabilitet financiar dhe menaxherial për bizneset e vogla dhe të mesme. Planifikim dhe optimizim tatimor, për t’u ndihmuar klientëve të paguajnë vetëm atë që kërkohet ligjërisht dhe në mënyrë të drejtë. Themelimin dhe administrimin e firmave, duke përfshirë proceset juridike dhe financiare për të garantuar suksesin afatgjatë.  Administrimin e personelit dhe përgatitjen e pagave.

Fokusi im kryesor është të ndihmoj bizneset të menaxhojnë financat e tyre në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme. Ndërthurja e ekspertizës në kontabilitet dhe payroll na bën si kompani të ofrojmë shërbime të specializuara për klientët tanë.

Albinfo.ch: Sa e rëndësishme është të kesh një kontabilist të besueshëm në Zvicër? Si ndihmoni bizneset shqiptare?

Karafili Ekinci: Bizneset shqiptare shpesh përballen me sfida në kuptimin e rregullave tatimore dhe administrative në Zvicër. Një kontabilist i besueshëm jo vetëm që siguron përputhjen me ligjet, por ndihmon edhe në rritjen e biznesit. Unë u ofroj bizneseve shqiptare:  Këshillim strategjik për zhvillim afatgjatë.  Përmbushje të të gjitha detyrimeve ligjore, si raportimet tatimore dhe deklaratat financiare.  Zgjidhje të personalizuara për optimizimin e kostove. Kjo ndihmon që bizneset shqiptare të jenë të qëndrueshme dhe konkurruese në tregun zviceran.

Albinfo.ch: Sa të suksesshme janë bizneset e shqiptarëve në Zvicër?

Karafili Ekinci: Bizneset shqiptare në Zvicër kanë pasur shumë sukses, sidomos në sektorë si ndërtimi, gastronomia dhe tregtia. Shumë prej tyre janë të suksesshme për shkak të përkushtimit dhe punës së palodhur të pronarëve. Megjithatë, sfidat burokratike dhe konkurrenca në treg mund të jenë pengesë për disa prej tyre. Një faktor kyç për suksesin është mbështetja nga profesionistë si kontabilistët dhe këshilltarët financiarë.

(KEYSTONE/Gaetan Bally)

Albinfo.ch: A ka ndonjë statistikë për numrin e bizneseve shqiptare në Zvicër?

Karafili Ekinci: Statistika të sakta për numrin e bizneseve shqiptare mungojnë, pasi nuk ka një kategori të veçantë për përkatësinë etnike. Megjithatë, vlerësohet se mijëra shqiptarë zotërojnë biznese, kryesisht në sektorët e ndërtimit, gastronomisë dhe shërbimeve.

Albinfo.ch: Në cilët sektorë janë përqendruar shqiptarët?

Karafili Ekinci: Shqiptarët janë përqendruar kryesisht në sektorët e mëposhtëm:  Ndërtimi dhe rinovimet, me kompani të vogla dhe të mesme.  Gastronomia, duke përfshirë restorante, bare dhe pastiçeri. Tregtia dhe shërbimet, si transporti dhe tregtia me pakicë.  Gjithashtu mbulojnë një pjesë të mirë në sektorin automobilistik. Këto sektorë reflektojnë punën e tyre të palodhur dhe aftësinë për të identifikuar mundësi të reja.

Albinfo.ch: Sa shpejt mund të themelohet një firmë në Zvicër?

Karafili Ekinci: Një firmë individuale mund të themelohet brenda 1-2 ditësh, nëse të gjitha dokumentet janë të rregullta. Për struktura më komplekse si GmbH ose AG, procesi mund të zgjasë 1-2 javë, duke përfshirë regjistrimin në regjistrin tregtar dhe hapjen e një llogarie bankare për kapitalin fillestar.

Albinfo.ch: Si të zgjedhësh formën e duhur juridike: firmë individuale, GmbH apo AG?

Karafili Ekinci: Zgjedhja varet nga madhësia e biznesit dhe rreziqet e mundshme:  Firmë individuale: Për bizneset e vogla me rreziqe të ulëta dhe kapital të kufizuar.  GmbH (Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar): Për bizneset e mesme që kërkojnë mbrojtje ligjore dhe një strukturë të qëndrueshme. Kapital minimal: 20,000 CHF.  AG (Shoqëri aksionare): Për bizneset e mëdha që kërkojnë investitorë dhe më shumë kapital. Kapital minimal: 100,000 CHF.

Albinfo.ch: Kapitali aksionar apo para të gatshme?

Karafili Ekinci: Në Zvicër, për të krijuar një GmbH ose AG, kërkohet kapital minimal, i cili mund të jetë në para të gatshme ose si kontribut në natyrë (p.sh., pajisje ose pasuri të tjera). Përdorimi i kapitalit aksionar është më kompleks dhe kërkon vlerësim nga ekspertët.

Albinfo.ch: Cili është dallimi mes Zvicrës, Gjermanisë dhe Francës për hapjen e firmave?

Karafili Ekinci: Zvicra: Proces i shpejtë dhe fleksibël, me fokus të madh në cilësinë e dokumenteve. • Gjermania: Procedura më komplekse dhe më shumë rregullore. Kapital minimal më i ulët për disa struktura (UG). Franca: Më shumë burokraci dhe tarifa administrative më të larta.

Albinfo.ch: A mund të hapë një i huaj një firmë në Zvicër?

Karafili Ekinci: Po, por një i huaj duhet të ketë një status qëndrimi në Zvicër (p.sh., leje pune) ose një përfaqësues me rezidencë në Zvicër për struktura si GmbH dhe AG. Ne si kompani kemi ndihmuar shumë raste të tilla me sukses.

Albinfo.ch: Cilat janë pyetjet që ju drejtohen më shpesh?

Karafili Ekinci: Pyetjet që më shtrohen më së shpeshti janë: Si mund t’i optimizoj tatimet, cila është forma më e përshtatshme për biznesin tim, pastaj çështje që lidhen me administrimin e personelit dhe pagave, cilat janë detyrimet e mia ligjore, etj.

Albinfo.ch: Si ndiheni kur duhet të mbyllni një firmë dhe cilat janë procedurat?

Karafili Ekinci: Mbyllja e një firme është një proces emocional dhe teknikisht kompleks. Procedurat përfshijnë shlyerjen e detyrimeve, përgatitjen e bilanceve përfundimtare dhe njoftimin e autoriteteve. Është gjithmonë sfiduese, por fokusi im është të ndihmoj klientët ta përfundojnë këtë proces sa më lehtë dhe profesionalisht, duke siguruar që çdo detaj të trajtohet me kujdes dhe në përputhje me ligjin.

Albinfo.ch: Çfarë tregojnë statistikat: hapen më shumë firma apo mbyllen, duke marrë parasysh inflacionin dhe problemet e tjera ekonomike?

Karafili Ekinci: Statistikat tregojnë se në Zvicër hapen më shumë firma sesa mbyllen, madje edhe gjatë periudhave me sfida ekonomike dhe inflacion. Çdo vit regjistrohen mijëra biznese të reja, kryesisht në sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit, falë stabilitetit ekonomik dhe procedurave të thjeshta për themelimin e firmave. Nga ana tjetër, firmat që mbyllen janë kryesisht ato të voglat, të cilat hasin vështirësi me rritjen e kostove dhe problemet e likuiditetit. Gjithsesi, raporti mbetet pozitiv: për çdo firmë që mbyllet, hapen disa të tjera. Kjo tregon se Zvicra vazhdon të ofrojë një mjedis të favorshëm për sipërmarrësit dhe zhvillimin e biznesit.

Pak biografi

Dorina Karafili Ekinci – Eksperte e Kontabilitetit dhe Administrim Biznesi  në Zvicër. E lindur në Pogradec, Dorina është një profesioniste shqiptare e njohur në fushën e menaxhimit të biznesit dhe kontabilitetit, e cila jeton dhe punon në kantonin e Bazelit, Zvicër. Ajo ka përfunduar studimet për Menaxhim Biznesi në Universitetin e Vjenës, një nga universitetet më prestigjioze në Evropë. Pas përfundimit të studimeve, Dorina vazhdoi specializimin në Zvicër në fushën e financave, kontabilitetit dhe administratës së pagave (Payroll). Në vitin 2021, Dorina themeloi kompaninë e saj, “Dotax Treuhand”, e cila ofron shërbime të specializuara për kompanitë në Zvicrën gjermanishtfolëse, përfshirë kontabilitetin, planifikimin tatimor, administrimin e pagave dhe këshillimin financiar. Ajo ka një përvojë të gjatë në sektorin e kontabilitetit dhe ka ndihmuar shumë biznese shqiptare dhe ndërkombëtare të menaxhojnë financat dhe të përmbushin detyrimet ligjore në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme.