Integrimi

CH-APEN – Kur brezi i dytë rilidh diasporën me rrënjët

CHAPEn, një rrjet që i fton shqiptarët e arsimuar në Perëndim të bëhen faktor ndikimi – për veten, për njëri-tjetrin dhe për shoqërinë ku jetojnë

Në një Zvicër të globalizuar, të ndërlidhur dhe digjitale, një grup të rinjsh shqiptarë – të lindur, të rritur dhe të shkolluar ndërmjet Alpeve dhe rrënjëve të tyre në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni – vendosën të krijojnë diçka që nuk ka ekzistuar më parë në formë të strukturuar: një rrjet që i fton shqiptarët e arsimuar në Perëndim të bëhen faktor ndikimi – për veten, për njëri-tjetrin dhe për shoqërinë ku jetojnë.

Kështu lindi CH-APEN – CH Albanian Professionals & Entrepreneurs Network.

Jo thjesht një rrjet – por një ide që frymëzon

CH-APEN nuk është një shoqatë e zakonshme. Është një platformë kreative, e krijuar nga profesionistë të gjeneratës së dytë të mërgatës shqiptare, që nuk kanë zgjedhur mes Zvicrës dhe origjinës – por i kanë përqafuar të dyja me krenari.

Qëllimi i tyre? Të krijojnë një hapësirë ku takohen kultura, profesionalizmi dhe identiteti shqiptar. Të nxisin dialog, frymëzim dhe bashkëpunim – përtej darkave formale dhe përtej folklorizmit të zakonshëm.

Në vend të protokolleve boshe, ata sjellin evente unike: ekspozita arti në muze si Kunsthaus Zürich, forume për teknologjinë dhe inovacionin si Speak@ODA, lundrime mbi liqenet zvicerane me muzikë, poezi dhe ekspozita me përmbajtje historike.

 

 

Nga Speak@ODA te ekspozitat në Kunsthaus – një mënyrë e re për të qenë shqiptar në Zvicër

Në forumet Speak@ODA, temat si Inteligjenca Artificiale, Blockchain, mobiliteti elektrik dhe siguria kibernetike diskutohen nga shqiptarë që punojnë në Google, Tesla, start-up-e evropiane dhe kompani lider në tregun zviceran. Djem dhe vajza që janë shembulli më i mirë i asaj se çfarë do të thotë të jesh “shqiptar i integruar” – pa harruar kurrë gjuhën e nënës dhe historinë nga vjen.

Në ngjarjet kulturore, ekspozitat me fotografi të papublikuara nga lufta në Kosovë – si ato të Visar Kryeziut në Kunsthaus – janë të shoqëruara me panele diskutimi, muzikë live dhe prezantime të sipërmarrësve të rinj shqiptarë që kanë krijuar kompani të suksesshme në Zvicër.

CH-APEN nuk organizon evente – CH-APEN krijon përvoja

Lundrimi artistik në liqenin e Luzernit, me më shumë se 200 pjesëmarrës, nuk ishte vetëm një festë – ishte një afirmim i identitetit. Në mes të një anije moderne, mes ekspozitash, muzikës klasike dhe kuzhinës shqiptare në formë gourmet, diaspora shqiptare u prezantua si një bashkësi evropiane që nuk harron asnjëherë kush është.

Pikërisht këtu qëndron edhe filozofia e CH-APEN: “Ne nuk duam të jemi vetëm mërgimtarë – duam të jemi Arbëreshët e rinj të Zvicrës. Ata që ruajnë gjuhën, kujtimin, kulturën – por që ecin përpara me profesionalizëm dhe dinjitet.”, shprehet bashkëthemeluesi dhe gazetari Beks Dalipi.

Për një diasporë që kontribuon, jo vetëm kujton

CH-APEN nuk është nostalgji për vendlindjen – është projekt për të ardhmen. Me synimin për të përfshirë brezin e ri, për të krijuar mentorim ndërgjeneratash dhe për të kthyer diasporën shqiptare në aktor ekonomik, kulturor dhe social të Zvicrës moderne.

Me një numër në rritje anëtarësh – mjekë, arkitektë, inxhinierë, artistë, IT-specialistë, financistë – CH-APEN po bëhet referencë për çdo shqiptar që kërkon më shumë se vetëm përkatësi etnike: kërkon bashkësi me vlera, përmbajtje dhe ndikim.

Mesazhi i CH-APEN: Jemi këtu, jemi krenarë, jemi aktivë

Në një kohë kur shumë organizata të diasporës janë pasive ose të fragmentuara, CH-APEN vjen si një model i ri: një diasporë që i flet vetes me vetëbesim, por edhe botës me kompetencë. Një komunitet që nuk kërkon vetëm të ruajë, por të ndërtojë.

„Dhe kjo është vetëm fillimi…në pjesën e dytë të këtoj viti do të sjellim ngjarje e evente edhe më unikate“, thotë për albinfo.ch, Beks Dalipi.