Futboll
Leon Gjinaj – një talent i ri që rritet mes pasionit dhe përkushtimit
“Futbolli më jep emocione të bukura: liri, gëzim dhe krenari”, thotë ai, duke i dhënë kuptim asaj që sporti përfaqëson – një mënyrë për të jetuar me pasion
Në lojën e fëmijërisë së tij, Leoni e gjeti thirrjen që e bën të ndjehet i gjallë. Vetëm gjashtë vjeç kur nisi të luante futboll, ai e kujton ende emocionin e parë, një top në këmbë dhe një buzëqeshje që nuk i fshihej nga fytyra. “Isha i lumtur, sepse po bëja lojën që më pëlqente më së shumti – të luaja me top”, thotë ai me sinqeritetin e një fëmije, por edhe me bindjen e një sportisti të vogël që tashmë e di rrugën e tij.
Fusha e gjelbër është hapësira ku ai ndien liri, ku çdo driblim është një ëndërr që merr formë, çdo pasim është një mësim për besim, dhe çdo gol është krenari – për veten, por sidomos për familjen e tij. “Futbolli më jep emocione të bukura: liri, gëzim dhe krenari”, thotë ai, duke i dhënë kuptim asaj që sporti përfaqëson – një mënyrë për të jetuar me pasion.
Çdo trofe dhe çdo shpërblim si lojtari më i mirë i ndeshjes është një dëshmi e përkushtimit të tij. Por për Leonin, futbolli nuk është vetëm diçka personale. “Shokët e skuadrës janë si një familje e dytë. Së bashku mësojmë, përkrahim njëri-tjetrin dhe japim më të mirën.” Aty ku shumë shohin vetëm garë, ai sheh miqësi dhe forcë kolektive.
Lojtarët e preferuar të e tij – Neymar, Messi, por edhe shqiptarët Xhaka, Shaqiri e Zhegrova – janë shembuj që e shtyjnë të ëndërrojë më shumë. “Ëndrra ime është që një ditë të bëhem lojtar me famë botërore”, thotë ai me vendosmëri, duke e kthyer ëndrrën në një synim që e motivon çdo ditë të punojë më fort.
Dashuria e prindërve – themeli i suksesit
Asnjë rrugëtim nuk është i lehtë pa mbështetje. Lumja dhe Robinsoni, prindërit e Leonit, e panë që herët dritën e talentit të tij. “Që në moshën 6-vjeçare e kuptuam se kishte diçka të veçantë. E shihnim sa i lumtur ishte sa herë që luante dhe sa ndryshe kuptonte lojën.”
Por talenti, pa sakrifica, nuk do të kishte hapësirë për t’u rritur. “Duhet të jemi gjithmonë pranë tij. Ne kemi edhe fëmijë të tjerë, por për Leonin kërkohet një përkushtim edhe më i madh, si familjarisht ashtu edhe financiarisht.” Në këtë udhëtim, familja është gjithmonë e bashkuar, duke i treguar djalit se kur është koha për shkollë, për sport dhe për pushim.
Mesazhi i tyre për prindërit është i qartë: “Vëreni tek fëmijët atë që duan të bëjnë. Kur ata janë të lumtur, mbështetini. Vetëm kështu mund të arrijnë kulmet e talentit të tyre.”
Një histori frymëzimi për të gjithë
Historia e Leonit është më shumë se një rrëfim për futbollin. Është dëshmi se ëndrrat lindin nga pasioni, por rriten vetëm kur ushqehen me përkushtim, disiplinë dhe dashuri. Në çdo hap të tij, shihen gjurmët e një fëmije që nuk luan vetëm për vete, por për të treguar se edhe një ëndërr e lindur në një fushë të vogël mund të marrë krahë të mëdha.
Leoni është shembulli se me besim, sakrificë dhe dashuri familjare, asgjë nuk është e paarritshme. Në fushën e jetës dhe të futbollit, ai tashmë ka nisur të shënojë golat e parë drejt një të ardhmeje që premton të ndritshme.
E-Diaspora
-
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt Më 14–15 prill 2026 mbahet Samiti IV i Diasporës Shqiptare... -
Duartrokitet shfaqja e filmit “Shame and Money” të Visar Morinës në Amerikë -
Hamburg
Promovohet libri “Skënderbeu – Një hero arbëror i Evropës” më 7 shkurt në Hamburg -
Diaspora
Diaspora rrit të ardhurat e Kosovës +4% më shumë në vitin 2025 -
Itali
Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venecias 2026
Jeta në Austri
-
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro Vjena pret që deficiti buxhetor i vitit 2025 të arrijë në total 2.8 miliardë euro, 1... -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç -
Austri
Rinesa Salijaj nga Istogu, kandidate për Asamble Komunale në St.Pölten të Austrisë -
Pranon fajin në tërësi: Tre vjet e gjysmë burg për kosovarin














