Integrimi

Dr. Naim Azemaj hap një ordinancë me fokus në parandalimin e sëmundjeve

Dr. Naim Azemaj: “Ndjeja se mungonte një qasje më e thellë, më gjithëpërfshirëse, që nuk fokusohet vetëm në trajtimin e simptomave por në parandalimin e sëmundjeve. . Kjo më çoi drejt hapjes së Ordinancës për Mjekësi Preventive dhe Trajtim të Personalizuar për Parandalimin e Sëmundjeve në Oftringen”

Dr. Naim Azemaj është specialist i mjekësisë parandaluese dhe, që nga viti 2019 udhëheq ordinancën e tij moderne në Oftringen, Kantoni Aargau. Por para se të arrinte këtu, ai ka kaluar një rrugë të gjatë e të suksesshme në profesionin e mjekut, në spitale dhe qendra mjekësore, ku mbante edhe pozita udhëheqëse. Në intervistën për albinfo.ch, Dr. Azemaj shpalos bagazhin e tij prej mjeku të përkushtuar specialist, pastaj flet për ofertën e ordinancës së tij, për përvojat me pacientët, shqiptarë e zviceranë etj.

Albinfo.ch: Dr. Azemaj, si do ta përshkruanit rrugëtimin tuaj profesional deri në hapjen e kësaj ordinance në Oftringen?

Dr. Naim Azemaj: Rrugëtimi im profesional ka qenë një përzierje e përkushtimit akademik, përvojave të ndryshme klinike dhe një kërkimi të vazhdueshëm për kuptimin më të thellë të shëndetit njerëzor. Pas përfundimit të studimeve në mjekësi, pata mundësinë të punoj në disa institucione të njohura në Zvicër, ku fitova përvojë në mjekësinë e përgjithshme dhe atë të brendshme, në kirurgji, radiologji dhe mjekësinë emergjente. Që nga viti 2019 kam hapur ordinancën time private në Oftringen, Kantoni Aargau. Megjithatë, gjithmonë ndjeja se mungonte një qasje më e thellë, më gjithëpërfshirëse, që e vendos pacientin në qendër dhe që nuk fokusohet vetëm në trajtimin e simptomave, por në parandalimin e sëmundjeve. Kjo më çoi drejt hapjes së kësaj ordinance në Oftringen  një vend ku mund të bashkoj shkencën moderne me një filozofi humane dhe parandaluese të kujdesit shëndetësor.

Albinfo.ch: Çfarë ju ka frymëzuar të zgjidhni pikërisht këtë qasje të mjekësisë parandaluese?

Dr. Naim Azemaj: Inspirimi erdhi nga vëzhgimi i vazhdueshëm se si shumë sëmundje kronike, shpesh herë, janë pasojë e stilit të jetesës, stresit dhe mungesës së ndërgjegjësimit për trupin dhe mendjen. Mjekësia parandaluese nuk është thjesht një disiplinë  është një filozofi që kërkon ta kthejë pacientin në një bashkudhëtar të vetëdijshëm në kujdesin për shëndetin. Unë besoj fuqishëm se një ndërhyrje e hershme, edukimi dhe mbështetja afatgjatë mund të bëjnë diferencën në cilësinë e jetës së një njeriu.

Albinfo.ch: Si ndikuan përvojat tuaja të mëparshme në këtë vendim për të ndërtuar një ordinancë me një filozofi të veçantë?

Dr. Naim Azemaj: Përvojat klinike më mësuan shumë për sistemin shëndetësor tradicional, për kufizimet dhe mundësitë e tij. Por pikërisht ato kufizime më shtynë të kërkoj më shumë  një mjekësi që dëgjon, kupton dhe parandalon, përpara se të trajtojë. Kam parë raste të panumërta ku një këshillë e dhënë me kohë, një analizë më e thelluar apo një ndërhyrje në stilin e jetesës do të kishte shmangur vuajtje të mëdha. Ky reflektim i vazhdueshëm më udhëhoqi drejt krijimit të një ordinance me një qasje të personalizuar, individuale dhe precize.

Rreth ordinancës dhe konceptit të saj unik

Albinfo.ch: Ordinanca juaj ndodhet në një vilë të mbrojtur me konventat kulturore. Çfarë kuptimi ka kjo për ju dhe për pacientët tuaj?

Dr. Naim Azemaj: Kjo vilë historike përfaqëson shumë më tepër sesa një hapësirë pune. Ajo është një simbol i respektit për traditën, për rrënjët dhe për vlerat njerëzore. Ambienti i saj i ngrohtë dhe estetikisht i kujdesshëm ndikon drejtpërdrejt në gjendjen emocionale të pacientëve. Ne dëshiruam që qasja jonë holistike ndaj shëndetit të pasqyrohet edhe në ambientin fizik  ku secili që hyn ndjehet i mirëpritur, i dëgjuar dhe i vlerësuar.

Albinfo.ch: Na tregoni më shumë për konceptin e ordinancës: në çfarë mënyre ajo dallon nga praktikat klasike mjekësore?

Dr. Naim Azemaj: Ordinanca jonë është ndërtuar mbi konceptin e “mjekësisë së personalizuar parandaluese”. Ne nuk trajtojmë vetëm sëmundjet, por fokusohemi në zbulimin e faktorëve të hershëm që çojnë drejt tyre. Kjo përfshin analiza të avancuara të biomarkerëve ne te gjitha degët e mjekësisë ne mënyrën më të detajuar dhe precize. Analiza epigjenetike, gjenetike, vlerësime të detajuara të stresit dhe ndikimit të tij në organe apo sisteme të ndryshme organike me mënyrat më të sofistikuara në mjekësinë moderne. Analiza rreth mungesës së mikronutrientëve, si dhe ndërtimin e planeve individuale për stilin e jetesës. Për ne, pacienti është një bashkëkrijues i procesit të shërimit.

Albinfo.ch: Çfarë lloj trajtimesh dhe shërbimesh ofroni, që e bëjnë ordinancën tuaj të vetmen në pjesën gjermane të Zvicrës?

Dr. Naim Azemaj: Ne ofrojmë një gamë shërbimesh që integrojnë mjekësinë konvencionale me atë funksionale dhe parandaluese: Analiza laboratorike me te avancuara dhe detajuara duke filluar nga pasqyra e gjakut, sistemit hormonal, të të gjitha vitaminave, aminoacideve, mineraleve dhe mikronutrientëve. Pastaj, analiza epigjenetike dhe gjenetike, testet për diagnostikë performuese (Spiroergometrie) më moderne në pjesën gjermanishtfolëse të Zvicrës si dhe diagnostifikime rreth metabolizmit, ndër të tjera, me kalorimetrie indirekte. Po ashtu ofrojmë terapi me infuzione të personalizuara (vitamina, minerale, antioksidantë, NAD), detoksifikim biologjik, konsulta për ushqim funksional, si dhe programe të menaxhimit të stresit dhe mirëqenies mendore. Më tutje, në ordinancën tonë ofrojmë shërbime për trajtimin e lëkurës duke krijuar produkte që u përgjigjen specifikave të lëkurës së çdo individi, duke synuar përmirësimin e shëndetit dhe pamjes së saj. Gjithçka është ndërtuar rreth individit, pra në formë të personalizuar  nuk ekziston një zgjidhje universale për të gjithë.

Qasja ndaj pacientit dhe filozofia parandaluese

Albinfo.ch: Si i qaseni parandalimit të sëmundjeve në praktikë? Çfarë përfshin kjo në jetën e përditshme të pacientëve?

Dr. Naim Azemaj: Parandalimi, për ne, fillon me edukimin dhe vetëdijësimin. Çdo pacient merr një vlerësim gjithëpërfshirës të faktorëve të rrezikut, si dhe një plan individual të mbështetur në të dhëna shkencore. Ne punojmë ngushtë me pacientët për të integruar ndryshime të vogla por domethënëse në ushqim, aktivitet fizik, menaxhim stresi dhe ritëm jetese. Kjo nuk është një qasje afatshkurtër, por një udhëtim i qëndrueshëm drejt shëndetit të mirë.

Albinfo.ch: A keni ndonjë filozofi personale për shëndetin dhe mirëqenien që përpiqeni ta përcillni tek pacientët tuaj?

Dr. Naim Azemaj: Po, besoj se shëndeti nuk është mungesë e sëmundjes, por një gjendje dinamike mirëqenieje  fizike, mendore dhe emocionale. Filozofia ime është që çdo njeri ka potencialin për të qenë në versionin e tij më të mirë, nëse i jepet mbështetja e duhur. Kujdesi për veten nuk është luks, por një akt dashurie dhe përgjegjësie ndaj vetes dhe të tjerëve. Në kët kontekst duhet te veçoj diciplinën mentale.

Albinfo.ch: A vëreni ndryshime në mënyrën si njerëzit e perceptojnë shëndetin dhe kujdesin ndaj vetes, veçanërisht në komunitetin shqiptar në Zvicër?

Dr. Naim Azemaj: Po, shoh një ndryshim pozitiv dhe të qëndrueshëm, sidomos tek brezat e rinj. Ka më shumë vetëdije për rëndësinë e kujdesit të parakohshëm, të ushqyerit të shëndetshëm dhe të balancës mendore. Komuniteti shqiptar po bëhet gjithnjë e më i hapur, është kureshtar dhe i interesuar ndaj koncepteve moderne të shëndetit, dhe kjo është inkurajuese.

E ardhmja dhe roli i mjekut shqiptar në diasporë

Albinfo.ch: Cili është misioni afatgjatë i kësaj ordinance,  çfarë dëshironi të arrini në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme?

Dr. Naim Azemaj: Qëllimi ynë është të krijojmë një qendër referimi për mjekësinë parandaluese në Zvicër, ku inovacioni, përkushtimi dhe kujdesi i personalizuar janë në qendër. Në planin afatgjatë, dëshiroj të ndërtoj një platformë ndërdisiplinare që bashkon mjekë dhe ekspertë të mirëqenies për t’u shërbyer pacientëve në mënyrë holistike.

Albinfo.ch: A bashkëpunoni me institucione të tjera shëndetësore ose kulturore në Zvicër apo më gjerë?

Dr. Naim Azemaj: Po, bashkëpunimi është një nga shtyllat tona kryesore. Ne jemi të përfshirë në rrjete profesionale me mjekë dhe klinika të specializuara në gjithë Zvicrën, si dhe posedojmë një rrjet fantastik me mjekët dhe klinikat më të avancuara në Zvicër. Gjithashtu, kemi bashkëpunime me institucione kulturore për të promovuar shëndetin si pjesë të integruar të jetës në përditshmëri.

Orinanca në Villa am Tych

Albinfo.ch: Çfarë mesazhi keni për mjekët e rinj shqiptarë që duan të kontribuojnë në mënyrë inovative në fushën e mjekësisë?

Dr. Naim Azemaj: Mos kini frikë të mendoni ndryshe. Mjekësia ka nevojë për vizionarë që e shohin pacientin si një tërësi dhe jo si një sëmundje. Studioni vazhdimisht, mbani pasionin të gjallë dhe mos harroni kurrë rrënjët tuaja,  ato janë një burim force dhe autenticiteti.

Albinfo.ch: Çfarë do të thotë për ju të jeni një mjek shqiptar në Zvicër?

Dr. Naim Azemaj: Për mua është një nder dhe një përgjegjësi e madhe. Është një mundësi për të përfaqësuar me dinjitet vlerat tona dhe për të ndërtuar ura mes kulturave, përmes profesionalizmit dhe etikës. Është gjithashtu një dëshmi se puna e ndershme nuk njeh kufij. Kjo vlen ndoshta sidomos për gjeneratat e para, që nga vitet e 90-ta që jemi edukuar shtetet perëndimore.

Albinfo.ch: Si e përjetoni lidhjen mes kulturës, ambientit ku ndodhet ordinanca, dhe mënyrës si u shërbeni pacientëve?

Dr. Naim Azemaj: E përjetoj si një simfoni të natyrshme. Kultura është pjesë e shëndetit,  ajo ndikon në mënyrën si perceptojmë veten, sëmundjen dhe procesin e shërimit. Ambienti ynë është menduar për të reflektuar këtë ndërthurje: një hapësirë që respekton historinë, mikpritjen dhe kujdesin e thellë për njeriun.

Kush është Dr. Naim Azemaj

Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Vjenë (Austri) ndërsa specializimin, në Degën e Mjekësisë Interne dhe të përgjithshme i ka përfunduar kryesisht në Qendrën Universitare në Zürich, por edhe në qendra tjera të njohura në Zvicër.

Para se te kalonte në ordinancën e tij private ne vitin 2019, ishte mbi 4 vite e gjysmë udhëheqës i Departamentit të Emergjencës dhe anëtar i bordit udhëheqës të Spitalit Linth, Uznach, Kantoni St. Gallen.

Ka kryer subspecializime në mjekësinë preventive, regjenerative, mjekësinë emergjente, Osteologji, Ultrazë, në mjekësinë për laser, diagnostikë performuese dhe nutricioni në sport (Fakulteti i Sporteve në Köln). Ka specializuar po ashtu në Kolegjin Evropian të mjekësisë dhe Kirurgjisë Estetike.

Foto: Genti Mersinaj

finemed Klinik in Oftringen