Kosova

Shqiptarët e Luginës kërkojnë mbrojtje të të drejtave dhe ruajtje të identitetit

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, si dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

Gjatë takimit u diskutua mbi gjendjen aktuale në Luginën e Preshevës, me theks të veçantë mbi politikat diskriminuese dhe shtypëse që Serbia ushtron ndaj shqiptarëve në këtë zonë. Po ashtu, u trajtua situata e shqiptarëve në Sanxhak, ku një ndër prioritetet mbetet ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar.

Pjesëmarrësit theksuan se mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi është jo vetëm nevojë e domosdoshme, por edhe një çështje urgjente për të garantuar barazinë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Zëvendëskryeministri Bislimi siguroi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të mbështesë shqiptarët në Luginë dhe Sanxhak, jo vetëm në aspektin e ruajtjes së kulturës dhe identitetit, por edhe përmes programeve që adresojnë nevojat e drejtpërdrejta të komunitetit.