Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka bërë një thirrje të fortë që vendet myslimane të veprojnë të bashkuara për të kundërshtuar planin e Izraelit për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës. Deklarata erdhi pas takimeve të zhvilluara këtë të shtunë në Egjipt me homologun egjiptian, Badr Abdelatty, dhe presidentin Abdel Fattah al-Sisi.
Ankaraja dhe Kajroja e dënuan njëzëri planin, duke e cilësuar atë si pjesë të një politike “gjenocidale dhe ekspansioniste” të Izraelit. Sipas Fidanit, ky hap synon dëbimin e palestinezëve nga toka e tyre përmes urisë dhe pushtimit të përhershëm të Gazës.
“Vendet nuk kanë më asnjë arsye për ta vazhduar mbështetjen ndaj Izraelit”, theksoi shefi i diplomacisë turke, duke paralajmëruar se situata paraqet rrezik jo vetëm për palestinezët, por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit.
Izraeli ka mohuar akuzat se po shkakton krizë urie, duke deklaruar se lufta mund të marrë fund nëse grupi militant palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, dorëzohet.
Abdelatty, nga ana e tij, tha se planet izraelite janë “të papranueshme” dhe se ka pajtueshmëri të plotë me Turqinë për çështjen e Gazës. Ai iu referua gjithashtu deklaratës së Komitetit Ministror të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OIC), e cila dënoi planin dhe e cilësoi si “një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare” që rrezikon çdo perspektivë për paqe.
OIC i ka bërë thirrje fuqive botërore dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së të ndërmarrin veprime urgjente për të ndalur zbatimin e planit, duke kërkuar gjithashtu mbajtjen përgjegjëse të Izraelit për shkeljet e ligjit ndërkombëtar.
Ndërkohë, Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara po vijojnë përpjekjet ndërmjetësuese për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, pa rezultate konkrete deri më tani.