Lajme
Turqia regjistron temperaturën më të lartë ndonjëherë
Turqia ka regjistruar temperaturën më të lartë ndonjëherë, në një valë përvëluese të të nxehtit që ka kapluar pjesën më të madhe të Mesdheut Lindor. Ministria e Mjedisit e Turqisë njoftoi se të premten në qytetin juglindor të Silopit, pranë kufirit me Irakun dhe Sirinë, janë matur 50.5 gradë Celsius, një rekord kombëtar i ri, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.
Temperatura, e konfirmuar nga meteorologët, u bë publike të shtunën përmes një njoftimi në platformën X, ku u theksua se ky është rekordi më i lartë që nga fillimi i matjeve, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 49.5 gradë Celsius të vendosur në gusht të vitit 2023.
Vala e të nxehtit, që filloi të hënën, ka përfshirë të gjithë vendin dhe pritet të zgjasë edhe për disa ditë. Sipas autoriteteve turke, 132 stacione meteorologjike kanë regjistruar temperatura rekord për muajin korrik, me termometrat që në disa zona treguan deri në 12 gradë më shumë se mesatarja sezonale.
Në qytetin bregdetar të Antalias, temperaturat arritën në 46.1 gradë Celsius, vlera më e lartë e regjistruar ndonjëherë për muajin korrik që nga viti 1930. Erërat e forta dhe thatësia e kanë përkeqësuar situatën, duke nxitur dhjetëra zjarre në të gjithë territorin.
Të premten, një zjarr shpërtheu pranë ndërtesave shumëkatëshe në Antalia, duke detyruar evakuimin e banorëve në qytet dhe në rrethinën Aksu. Flakë janë raportuar edhe në Karabuk, Sakarya dhe Bilecik në Turqinë veriore, ndërsa disa fshatra janë evakuuar si masë sigurie.
Tragjedia më e madhe ndodhi të mërkurën, kur 13 persona humbën jetën teksa po luftonin flakët në Eskisehir, në Turqinë perëndimore. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan e quajti situatën një “katastrofë të madhe” dhe njoftoi se 25,000 punonjës janë angazhuar në përballjen me flakët, të ndihmuar nga 27 aeroplanë, 105 helikopterë dhe 6,000 mjete tokësore.
Valët ekstreme të të nxehtit kanë goditur edhe vende të tjera të rajonit, përfshirë Greqinë, Qipron dhe Shqipërinë. Në Greqi, autoritetet kanë kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian për të përballuar zjarret masive që kanë përfshirë pjesë të ndryshme të vendit. Një zjarr i fuqishëm në veri të Athinës ka detyruar evakuimin e banesave, ndërsa flakët janë përhapur nga erërat e forta në Peloponez dhe në ishujt Kretë, Eubea dhe Kythera.
Autoritetet greke kanë mbyllur përkohësisht Akropolin gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe u kanë bërë thirrje turistëve që të shmangin qëndrimin në diell, raporton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Sabahat Meta për albinfo.ch: Për 7 vite, Kino Kosova është shndërruar në një urë kulturore mes Kosovës dhe Zvicrës Nga 9 deri më 13 shtator, Berna do të jetë sërish nikoqire e festivalit Kino Kosova,... -
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë -
Nga Ferizaj në skenën e Miss World 2026, Blair Isufi: Ky rrugëtim është për Kosovën -
Konsullata e Kosovës në Gjenevë organizon aktivitete përkujtimore për personat e zhdukur -
Konferenca IV “Ekonomia shpëton Luginën” mbahet me 26 shtator në Bujanoc
Jeta në Austri
-
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë Ai largohet nga kampioni aktual i Zvicres pas 7 vitesh, për një vlerë prej 1... -
Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Austri – Kosovë, shiten 40 mijë bileta -
Austri: Ministria e Financave paralajmëron për mashtrim me ndihmën familjare -
A do të shtrenjtohen hipotekat dhe kreditë nëpër Evropë? -
Austri: Meteorologët japin paralajmërim për stuhi












