Numri i viktimave nga përmbytjet e menjëhershme që goditën shtetin e Teksasit është rritur në të paktën 78 persona, ndërsa autoritetet vazhdojnë kërkimin intensiv për vajzat e zhdukura nga Kampi Mystic, një kamp veror i krishterë për vajza që u përfshi nga uji përgjatë lumit Guadalupe, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.
Zyrtarët konfirmuan se 68 nga viktimat janë regjistruar vetëm në Qarkun Kerr, zona më e goditur, ku 28 prej të vdekurve janë fëmijë. Ndërkohë, 10 viktima të tjera janë raportuar në qarqe të ndryshme të Teksasit. Shifrat mund të rriten më tej pasi ende 41 persona rezultojnë të zhdukur, sipas Guvernatorit të Teksasit, Greg Abbott.
Në mesin e të zhdukurve janë dhjetë vajza dhe një këshilltar nga Kampi Mystic që nuk janë parë që prej mëngjesit të së premtes, kur përmbytjet goditën me një shpejtësi shkatërruese. Media amerikane raportoi se familjarët e katër prej vajzave të zhdukura kanë konfirmuar vdekjen e tyre.
Rreth 750 vajza ishin të pranishme në kampin e njohur veror kur përmbytja përmbyti zonën në më pak se një orë. Ujërat e lumit Guadalupe u ngritën mbi 26 metra për vetëm 45 minuta duke rrëmbyer ndërtesa, ura dhe automjete. Kampi u godit drejtpërdrejt nga vërshimi ndërsa rruga hyrëse u shkatërrua, duke e bërë pothuajse të pamundur ndërhyrjen në orët e para.
Presidenti amerikan Donald Trump shpalli të dielën gjendje të jashtëzakonshme në Qarkun Kerr duke u zotuar për ndihmë të menjëhershme federale. “Kjo është për të siguruar që ndihmësit tanë të guximshëm të kenë burimet që u nevojiten menjëherë,” shkroi ai në rrjete sociale, transmeton albinfo.ch.
Ekipet e emergjencës po punojnë ditë e natë për të gjetur të mbijetuarit. Shefi i Menaxhimit të Emergjencave të Teksasit, Nim Kidd, tha se kërkimet po zhvillohen me forca ajrore, tokësore dhe ujore në gjithë gjatësinë e lumit Guadalupe. “Ne nuk do të ndalemi derisa të gjendet personi i fundit i zhdukur,” theksoi ai.
Ndër viktimat e konfirmuara janë edhe Dick Eastland, pronar dhe drejtor i Kampit Mystic, si dhe drejtori i një kampi tjetër aty pranë. Familjet e vajzave të zhdukura po përdorin rrjetet sociale për të shpërndarë fotografi dhe informacione me shpresën për të marrë ndonjë lajm për më të dashurit e tyre.
Stuhia nisi para agimit të së premtes në prag të festimeve për Ditën e Pavarësisë së SHBA-së. Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), më shumë se 30 centimetra shi ranë në disa zona brenda pak orësh, sasi që zakonisht bie gjatë gjysmës së vitit. Rrjedha e ujit u bë shkatërruese në pak minuta.
Shtrohet edhe çështja e paralajmërimeve. Zyrtarët pranojnë se sistemi aktual nuk ishte në gjendje të parashikonte intensitetin e reshjeve. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tha se administrata Trump është duke punuar për përmirësimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm edhe pse agjencitë federale janë përballur kohët e fundit me shkurtime buxhetore dhe mungesë personeli.
Përfaqësuesi republikan Chip Roy e përshkroi përmbytjen si një katastrofë që ndodh një herë në një shekull dhe pranoi se do të ketë fajësim për mungesën e infrastrukturës paralajmëruese. Autoritetet lokale kishin marrë në konsideratë ndërtimin e një sistemi të ngjashëm me atë të alarmit për tornado, por kostoja ishte konsideruar shumë e lartë, transmeton albinfo.ch.