Lajme

Me artin e saj, Nexhibe Imeri u jep një zë grave të diskriminuara

"Kam krijuar një art që flet, frymëzon dhe proteston! Është një thirrje për drejtësi dhe një rreze shprese për shumë gra të tjera”

“Përmes artit, drejt barazisë” ishte motoja e një aktiviteti të veçantë dhe kompleks, i zhvilluar më 14 qershor, në ambientet e në Bibliotekën Muzikore të HSLU-së (Hochscule Luzern – Design, Kunst & Film).

Bartëse e aktivitetit ishte artistja Nexhibe Imeri, e cila në këtë mënyrë po shënonte diplomimin në shkallën Master të shkollës në fjalë.  Titulli i punimit ishte “Praktika Kritike e Punës me Imazhin”. Përtej kësaj, ajo po ngrinte zërin për barazinë e gruas në shoqëri, me theks të veçantë në shoqërinë shqiptare, nga e cila vjen artistja. Kështu, ekspozita me 23 punime, krahas një debati të gjallë pas një ekspozeu që zonja Imeri kishte paraqitur në hapje, përputheshin tërësisht me ditën kur mbahej ngjarja, 14 qershorin, që në Zvicër ishte ditë e protestës kundër pabarazisë së gruas në shoqëri.

“Kam krijuar një art që flet, frymëzon dhe proteston! Ai nuk është vetëm shprehje e historisë sime personale – por gjithashtu një thirrje për drejtësi dhe një rreze shprese për shumë gra të tjera”, e ka bërë me dije që në fillim kredon që  ka ndjekur, artistja shqiptare e lindur në Preshevë dhe që jeton prej afër dyzet vitesh në Zvicër.

Duke parakaluar para punimeve në pikturë, të vendosura me shije në muret e hapësirës së ekspozimit, artistja ka shpjeguar në hollësi pikturat, motivet dhe rrethanat që i kanë bërë të mundshme ato. “Ky projekt artistik bazohet në biografinë time personale dhe ndriçon pabarazitë gjinore dhe strukturat patriarkale, të cilat vazhdojnë të ndikojnë gratë deri më sot – pavarësisht përparimeve ligjore të arritura, drejtësia e vërtetë ende mungon. (…) “Puna ime është një apel për barazi të vërtetë – përtej normave të vjetra dhe roleve shoqërore që i kanë kufizuar gratë për shekuj.

Në vazhdim në një panel është debatuar mbi pozitën e gruas në shoqëritë patriarkale, por edhe në ato moderne si kjo e Zvicrës, gjithmonë duke marrë shkas nga puna krijuese dhe masteri i autores, Nexhibe Imeri. Zita Küng – Juriste, autore, aktiviste feministe dhe fituese e çmimit për të drejtat e grave (Shoqata e Avokatëve të Zvicrës) ka bërë një prezantim interesant të gjendjes së të drejtave të gruas në Zvicër. Ajo ka theksuar se kjo gjendje ka shumë mangësi, pavarësisht nga perceptimi (joreal, sipas saj) se në Zvicrën e pasur dhe të përparuar, çdo gjë është ideale. Është shpesh e kundërta, është shprehur Z. Küng, duke ju referuar problemeve si pabarazia në mes të gruas dhe burrit në tregun e punës etj.

Prof. Dr. Nika Spalinger – Pedagoge arti me fokus në artin si formë aktivizmi shoqëror, ka folur për sferën që mbulon me profesionin e saj, duke vënë në spikamë punën krijuese dhe masterin e Nexhibe Imerit. Ajo ka vlerësuar lartë këtë punë dhe është ndalur më shumë në konsultat dhe bashkëbisedimet që ka pasur, në cilësinë e mentores së diplomës së mëhershme (Bachelor), me artisten gjatë realizimit të projektit. Sipas saj, puna e zonjës Imeri meriton vlerësimin tonë për nivelin e njohjes dhe të prezantimit të temës që ka marrë për trajtim. Fakti që ajo vjen nga një kulturë e trajtimit ndryshe të gruas dhe jeton tani në mesin tonë, përbën edhe një mundësi më tepër që të njohim pozitën e gruas në kulturën prej nga vjen ajo.

Panelin e ka drejtuar me kompetencë dhe ndjeshmëri për temën, Joanna-Jenni, studente në master për arte.

Pjesë e panelit ishte edhe PhD. Dashnim Hebibi, gazetar, autor dhe themelues i HelveticalForum si dhe Kryeredaktor i SAM24.info. Ai me këtë rast ka prezantuar librin e tij “Gratë frymëzuese të diasporës shqiptare” në të cilin ka përfshirë 186 intervista me gra shqiptare nga diaspora. Sipas tij, gruaja shqiptare në Zvicër dhe përgjithësisht në diasporë ka një rol të veçantë jo vetëm në edukimin e brezave të rinj por edhe në integrimin e shqiptarëve në shoqëritë ku jetojnë si mërgimtarë.

Artistja Nexhibe Imeri ka falënderuar në veçanti mentoren e saj për temën e Masterit Sabine Fing Gebhard-drejtoresha e udhëheqjes për Master në Arte të Bukura. “Ky projekt, që përfshin 23 piktura të mia, u bë realitet në një mënyrë që s’e kisha imagjinuar – aty ku zakonisht ekspozitat nuk ndodhin. Biblioteka nuk ishte më vetëm një vend leximi, por u shndërrua në një galeri ndjenjash dhe reflektimi”, është shprehur ajo, veç tjerash, duke kujtuar meritat e zonjës Fing Gebhard.

I tërë projekti është ngritur mbi vuajtjet e grave në përgjithësi, duke i përpunuar ato dhe duke u dhënë zë që do të kontribuojë në sensibilizimin e shoqërisë me të drejtat e gruas. Të drejta që duhet të jenë të nënkuptueshme dhe jo të falura nga dikush.

Ekspozita me punime të Nexhibe Imerit do të qëndrojë e hapur deri më 11 korrik në Bibliotek HSLU, Arsenalstrasse 28a, 6010 Luzern-Kriens.