Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj arrestimeve të fundit të qytetarëve kosovarë nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit, duke i cilësuar ato si “veprime arbitrare” dhe të ngjashme me praktikat shoviniste të viteve ’90, raporton albinfo.ch.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, Osmani ka vlerësuar se Serbia po vepron në kundërshtim me të gjitha parimet ndërkombëtare dhe se po vazhdon të keqpërdorë ligjin për qëllime politike dhe frikësuese ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane. Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës,” ka shkruar ajo.
Osmani ka përmendur konkretisht rastin e arrestimit të qytetarit Arbnor Spahiu, për të cilin ka thënë se akuzat janë tërësisht të rreme dhe të pabaza. “Ky akt nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me vazhdimësinë e praktikave të vjetra të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën,” ka theksuar presidentja, raporton albinfo.ch.
Ajo ka kërkuar që Serbia të ndalojë menjëherë, siç i ka quajtur, “fushatat e arrestimeve politike” dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për këto shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas saj, këto veprime jo vetëm që rrezikojnë të drejtën për liri të lëvizjes, por edhe pengojnë përpjekjet për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Presidentja ka bërë të ditur se ka pasur kontakte të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe ka kërkuar reagim të fuqishëm nga shtetet e Quint-it dhe Misioni i Bashkimit Evropian për të ndalur këto shkelje.
Në fund, ajo ka ripërsëritur thirrjen për qytetarët e Kosovës që të shmangin kalimin transit nëpër Serbi, duke i paralajmëruar për rrezikun e arrestimeve arbitrare dhe për, siç e quajti, “tendencat destabilizuese” të shtetit serb, raporton albinfo.ch.