Pas rrëshqitjes së rëndë të dheut në komunën malore Blatten në kantonin Valais, Këshilli Federal i Zvicrës ka vendosur të kërkojë një ndihmë emergjente prej 5 milionë frangash zvicerane për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të prekur. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së parë të qeverisë pas katastrofës natyrore, e cila shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe tronditi thellësisht komunitetin lokal, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.
Fondet e kërkuara do të shkojnë drejtpërdrejt në komunën e Blattenit si mbështetje fillestare financiare për masa urgjente që nuk mbulohen nga sigurimet ose subvencionet. Komuna do të ketë kompetencë të plotë për mënyrën se si do të shpërndajë mjetet, përfshirë ndihmën për familjet e fshatarëve të prekur.
Ministrja e Financave, Karin Keller-Sutter, theksoi se ndihma është simbolike dhe se nevojat janë shumë më të mëdha. “Dëmi mund të arrijë në disa qindra milionë franga, por në këtë fazë është e pamundur të japim një shifër të saktë,” tha ajo, duke shtuar se është thelbësore që ndihma të ofrohet menjëherë, transmeton albinfo.ch.
Ministri i Mjedisit, Albert Rösti, ndërkohë njoftoi se deri në fund të vitit do të përgatitet një vlerësim gjithëpërfshirës i situatës, i cili do të shërbejë si bazë për mbështetje të mëtejshme. Ai konfirmoi se në planin afatgjatë, fokusi do të jetë në rindërtimin e zonës dhe në garantimin e një të ardhmeje të sigurt për banorët e Lötschentalit.
“Ne nuk po flasim për një zhvendosje nga luginat malore, por për një rindërtim të kujdesshëm dhe të koordinuar. Siguria e banorëve dhe qëllimet e komunitetit do të jenë prioritet,” u shpreh Rösti.
Parlamenti zviceran pritet ta miratojë kërkesën për ndihmën emergjente gjatë një seance të jashtëzakonshme javën e ardhshme. Ndërkohë, Kantoni i Valais ka premtuar një shumë tjetër prej 10 milionë frangash për komunën, transmeton albinfo.ch.