Dy nga siguruesit më të mëdhenj në Zvicër, CSS dhe Helsana, kanë arritur një marrëveshje me klinikat private La Colline dhe Les Grangettes në Gjenevë, pas muajsh përplasje me mjekët mbi rimbursimin e trajtimeve me sigurim suplementar.
Që nga fillimi i vitit, shumica e siguruesve kishin ndalur rimbursimet për pacientët me sigurim privat ose gjysmëprivat në këto klinika. Kjo kishte çuar në anulimin e shumë operacioneve dhe vështirësi financiare për klinikat dhe mjekët, transmeton albinfo.ch.
Marrëveshja e re, e inicuar nga vetë klinikat dhe e mbështetur nga shumica e mjekëve, synon të rikthejë normalitetin. Megjithatë, disa mjekë mund të refuzojnë ta nënshkruajnë kontratën.
Ky zhvillim mund të nxisë edhe klinika të tjera në Gjenevë të ndjekin shembullin, duke çuar drejt një sistemi me tarifa të ndryshme sipas klinikës, në vend të një modeli të unifikuar për të gjithë kantonin.
Rreth 80% e pacientëve pritet të rifitojnë mbulimin nga sigurimi suplementar.