Lajme
Për pak ditë do të betohej si Këshilltar Bashkiak, arrestohet shqiptari në Belgjikë
Bëhet fjalë për Amarildo Vllazeria, 27 vjeç, një shqiptar që do të betohej si këshilltar bashkiak në qytetin e Mortsel në Belgjikë dhe do të zëvendësonte Caro Abutoh, i cili është vënë në pranga.
Mediat belge shkruajnë se Vllazeria ka dalë në përgjime në aplikacionin SKY ECC, ku fliste për trafik droge me persona të tjerë me precedentë penalë. Detektivët nga FGP Antwerp bastisën pesë vende të martën, duke përfshirë bashkinë (e përkohshme) në Meerminne, zyrat e OCMW Mortsel në Deurnestraat dhe adresat në Wilrijk dhe Antwerp.
Në total u vunë në pranga tre persona, rreth të njëzetat, mes tyre edhe shqiptari Amarildo Vllazeria (27).
Të tre dyshohet se janë anëtarë të një organizate kriminale që ishte përfshirë në kontrabandën e kokainës nëpërmjet portit të Antwerp-it në vitet 2020 dhe 2021.
Kjo gjë ka dalë edhe nga mesazhet e deshifruara nga Sky ECC. Në një prej bisedave është diskutuar edhe për importin e më shumë se 150 kilogramëve kokainë. Droga do të eksportohej edhe në vende të tjera, në automjete të pajisura me ndarje të fshehura.
“Flitet për importe nëpërmjet portit të Antwerp-it, ku po rekrutohen edhe punëtorë të portit,” thotë zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit Publik, Kristof Aerts. “Kishte gjithashtu plane për një plantacion kanabisi në Mortsel.” Gjatë kontrolleve u gjetën mallra luksi, celularë dhe 9 mijë euro cash.
Referuar Prokurorisë Publike, ka të dhëna konkrete se Vllazeria është përfshirë në eksportin dhe transportin e lëndëve narkotike. Megjithatë, ai dhe dy personat e tjerë që u arrestuan të martën për të njëjtin rast u liruan pas marrjes në pyetje. Hetimi është ende në vazhdim, thekson Prokuroria Publike.
Vllazeria ka qenë kryetar i Komitetit të Posaçëm të Shërbimeve Sociale, ish-Këshillit të OCMW, nga tetori 2023 deri në përfundim të mandatit të mëparshëm. Ai ka shërbyer edhe në Këshillin Policor të Zonës së Policisë Minos. Në zgjedhjet bashkiake të tetorit 2024, Vllazeria u zgjodh për të qenë anëtar i Këshillit Bashkiak.
Hetimi duhet të sqarojë nëse Vllazeria ka abuzuar me mandatet e tij në qytetin e Mortsel-it. Veprat e drogës dhe organizata kriminale, në të cilën thuhet se ka qenë i përfshirë, datojnë nga viti 2020 dhe 2021, kur ai kishte detyra të rëndësishme.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Expo Arbëria në Spezzano Albanese: Tri ditë feste për komunitetin arbëresh Nga 18 deri më 20 shtator 2026 në Spezzano Albanese mbahet takimi që feston historinë, artin,... -
Shaip Morina, një shqiptar nga Kosova në qendër të jetës politike dhe kulturore të Malmö-s -
Zvicër
“Atdheu” në Thun, të rinjtë mësojnë këngën dhe instrumentet shqiptare -
Marigona Qerkezi rikthehet në Zagreb për një gala madhështore të operës -
19-vjeçari nga Kosova arrestohet pas një grabitjeje në Bad Säckingen
Jeta në Austri
-
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions Një pjesëmarrës nga Salzburgu fitoi 111,5 milionë euro në shorteun e së premtes të EuroMillions, njoftoi... -
Austri: Rregulli i ri i pensioneve duhet të sjellë më shumë para për të gjithë në të ardhmen -
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili










