Kosova

Kurti: Në veri të Kosovës ka më pak ilegalitet

Foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në trevjetorin e qeverisjes së tij ka përmendur disa nga punët e kryera, si suksese të arritura gjatë këtij mandati.

Ai ka përmendur veriun e Kosovës, duke thënë që ilegaliteti në këto zona është ulur.

“Janë mbyllur 27 rrugë ilegale, janë shkatërruar 9 laboratore droge, 6 të kriptovalutave dhe 4 depo të armatimit. Janë sekuestruar alarmë e kamera të strukturave ilegale dhe armatim e asete në vlerë rreth 15 milionë euro nga hetimet mbi sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit, ku humbëm rreshterin shembullor, Afrim Bunjaku, por fituam një Hero të Kosovës dhe dolëm fitues e faqebardhë. Atje tash janë ngritur 9 stacione policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit, e nuk kishte asnjë deri në vitin 2021. Pas 24 vjetëve në komunat veriore janë hapur e funksionalizuar zyrat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës dhe të Kadastrave Komunale në shërbim të qytetarëve dhe të bizneseve të ligjshme. Me largimin e targave ilegale, siguria publike është më e mirë. Po shtrohen rrugë që lidhin fshatrat mes vete në veri e me komuna në jug, po ndërtohen e rinovohen shtëpi të banorëve, e po modernizohet infrastruktura e telekomunikimit dhe internetit për shërbimet 4G+ dhe 5G”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka thënë se edhe paraja publike po ruhet dhe mbrohet, duke u shpenzuar “me përgjegjësi”.

“Mbi 145 milionë euro i janë kursyer buxhetit të Kosovës nga tri procese të fituara në arbitrazhin ndërkombëtar”, ka shtuar Kurti.