Kosova

Avokati serb që bëri homazhe në Prekaz, intervistohet nga shërbimi sekret serb

Avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, Çedomir Stojkoviq, ka bërë të ditur se të premten është ndaluar për 4 orë nga anëtarët e BIA-s serbe.

“Pasi më ndaluan për 4 orë anëtarët e Agjencisë së Informacionit të Sigurisë së Serbisë, më liruan për të vazhduar më tej”, ka shkruar ai në X.

Sipas tij, ai është liruar pasi që autoritetet serbe e kanë ditur se nëse nuk do të lirohej, presioni i ndërkombëtarëve do të ishte i madh.

“Lirimi im nuk është pasojë e vullnetit të autoriteteve. Më liruan për shkak të ndërgjegjësimit të qeverisë se po të më arrestonin, presioni nga ndërkombëtarët do të ishte shumë i madh”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet të shpjegojë pse ai përbën “përjashtim nga Nikola Sanduloviq”.

“Bëra një gjë edhe më të keqe se Nikola, mbajta një fjalim pranë varrit, ku ai vendosi lule. Ai është arrestuar dhe rrahur, unë jam i lirë”, ka shkruar Stojkoviq.