Kosova

Policia e Kosovës parandalon gara ilegale në autostradë

Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën ka parandaluar një garë ilegale të automjeteve në autostradën “Ibrahim Rugova”.

“Më 26.12.2023 Njësia për Kontroll të Autostradave në kuadër të Planit Operativ ”Parandalimi i Garave të Shpejtësisë” ka arritur që të parandalojë garat e shpejtësisë me automjete në kilometrin e 10-të të autostradës Dr. Ibrahim Rugova”, njofton policia.

Sipas tyre, dy automjete ishin duke garuar me shpejtësi 230km/h.

“Njësitë policore kanë hasur në dy automjete duke zhvilluar shpejtësi prej 225 km/h dhe 230 km/h në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 100 km/h, ku të njëjtit janë gjobitur me nga 300€ dhe 3 muaj iu është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik”, thuhet në njoftim.