Kosova

Kearns sheh nga afër armatimin e konfiskuar pas sulmit të 24 shtatorit

Deputetja britanike dhe kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme e Parlamentit Britanik, Alicia Kearns, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe Policinë e Kosovës kanë vizituar dhe kanë parë nga afër armatimin e konfiskuar pas sulmit të 24 shtatorit.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” vetë ministri Sveçla, i cili ndër të tjera ka falënderuar deputeten britanike për reagimet e saj.

“Së bashku me znj. Kearns vizituam dhe pamë nga afër armatimin e konfiskuar pas aktit terrorist të tentim-aneksimit të veriut të Republikës së Kosovës. Me këtë rast falënderuam edhe sensibilizimin ndërkombëtar që znj. Kearns pati bërë me rastin e deklarimit që objektet fetare dhe autoambulancat në veri të Republikës së Kosovës po përdoreshin për transport dhe vendstrehim të armatimit nga strukturat kriminale”, ka shkruar ai, përcjell albinfo.ch.

Sipas tij, gjatë kësaj vizite Kearns është takuar me zyrtarë policorë, me të cilët ka biseduar rreth sfidave dhe mundësive për të kontribuar në luftimin e krimit dhe rritjen e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Pak kush ka mbajtur një qëndrim kaq të fort dhe të drejtë në këto kohë si Alicia Kearns, andaj i jemi mirënjohës për rolin e saj në mbrojtje të së drejtës dhe të së vërtetës”, ka shkruar ai.