Kosova
Presidentja e Kosovës nga Shqipëria: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, garanci për paqe në rajon
E hënë, 4 Shtator 2023 - 14:00
albinfo.ch
Foto Facebook: Presidenca e Republikës së Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur me ceremoni zyrtare në Tiranë nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Zyra e Presidencës, përmes një komunikate, ka njoftuar se Osmani ka deklaruar që Kosova është e përkushtuar të fuqizojë pozicionin e saj ndërkombëtar, duke shtyrë tutje synimin për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Në takim me homologun e saj shqiptar, Osmani u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO është synim afatgjatë dhe përfshirja në Programin e Partneritetit për Paqe është garanci për paqe e siguri.“Anëtarësimi i Kosovës në NATO si synim afatgjatë dhe përfshirja sa më parë në Programin e Partneritetit për Paqe te NATO-s janë garanci për paqe dhe siguri në rajon dhe kontinentin tonë. Fakti që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në gjithë rajonin tonë, e në veçanti në Kosovë”, ka thënë ajo, përcjell albinfo.ch.
Presidentja Osmani ka thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për rritje të koordinimit në politikën e jashtme, në “raport me interesat e të dy shteteve”.
“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike historike, kulturore dhe kombëtare, lidhje kjo e fortë dhe e pathyeshme. Përballë sfidave, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, duke u fokusuar në qëllimin tonë madhor: integrimin e shteteve tona në familjen euroatlantike”, tha ajo.