Kosova

Kosovë: Ministrja e Drejtësisë hedh dyshime mbi Prokurorinë Speciale

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, përmes një videoje në rrjetin social Facebook ka hedhur dyshime mbi punën e Prokurorisë Speciale.

Ajo ka folur për një pronë në Vushtrri që, sipas saj, i takon dikasterit që udhëheq, por që i është dhënë për 10 vjet në shfrytëzim një personi fizik nga ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-drejtori i burgjeve, shkruan albinfo.ch.

Haxhiu ka thënë se auditori i brendshëm i ministrisë ka gjetur se kontrata është lidhur pa asnjë bazë ligjore dhe kushtetuese.

“Për çfarë dhe për kë po punon Prokuroria Speciale?”, u shpreh ajo, me ç’rast akuzoi Prokurorinë e Shtetit se ka krijuar precedent të rrezikshëm, meqë nuk e ka konsideruar vepër penale rrënimin e objektit të ish-hotelit Vicianum.

Ndër të tjera, ajo ka thënë se në Prokurori dhe Polici kanë bërë edhe shumë denoncime të tjera, por që nuk është ndërmarrë asnjë veprim.