Kosova
Pse Kosova mbeti jashtë Programit të Evropës Digjitale?
Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka ndërmarrë për Kosovën, për shkak të tensioneve në pjesën veriore të vendit, kanë penguar nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociimit me Programin e Evropës Digjitale.
“Momentalisht, takime të nivelit të lartë apo ministror nuk janë duke u zhvilluar me Kosovën, prandaj Kosova nuk është ftuar në Dialogun e Dytë Rregullator BE-Ballkan Perëndimor dhe nënshkrimi i marrëveshjes me Kosovën është shtyrë për një datë të mëvonshme”, thuhet në deklaratën e Zyrës së BE-së.
BE-ja dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbajtën një takim në fund të qershorit. Në atë takim, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan marrëveshjet përkatëse me Komisionin Evropian dhe u bënë pjesë e Programit të Evropës Digjitale.
BE-ja ka bërë të ditur në fund të muajit të kaluar se ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese për Kosovën – përfshirë pezullime takimesh të nivelit të lartë dhe fondesh – për shkak të mospërfilljes së kërkesave të saj për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
Situata e sigurisë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe është përkeqësuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje kanë hyrë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.
Protestat e tyre kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme, me dhjetëra të plagosur – në mesin e të cilëve edhe ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.
BE-ja i ka kërkuar Kosovës që t’i tërheqë kryetarët shqiptarë dhe të organizojë zgjedhje të reja, por, deri më tash, nuk ka hapa në këtë drejtim.
Çka është Programi i Evropës Digjitale?
Vlera financiare e Programit të Evropës Digjitale kap shifrën prej 7.5 miliardë eurosh.
Me këtë buxhet, ky program synon të përshpejtojë rimëkëmbjen ekonomike të vendeve që aspirojnë BE-në.
Përmes tij, qytetarët, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe institucionet publike kanë mundësi të aplikojnë me projekte të ndryshme.
“Programi i Evropës Digjitale është një program i ri dhe, në momentin kur shkëmbehet një nënshkrim ndërmjet Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës, subjektet kosovare do të mund të përfitojnë nga thirrjet e Programit të Evropës Digjitale”, thanë nga Zyra e BE-s.
Thirrjet e para për propozime, për vitet 2023-2024, janë hapur më 11 maj të vitit 2023 dhe do të mbyllen më 26 shtator të po këtij viti.
Nga BE-ja thanë se Kosova, pasi që ta nënshkruajë marrëveshjen, do të mund të kualifikohet për ndihmë në krijimin e Qendrave Evropiane të Inovacionit Digjital. Këto qendra, sipas BE-së, ofrojnë shërbime për transformimin digjital të sektorit privat dhe publik.
“Pas asociimit, aplikuesit nga Kosova do të kenë mundësi të përfitojnë dhe t’iu përgjigjen thirrjeve të ardhshme të këtij programi”, thuhet në deklaratën me shkrim që Zyra e BE-së i dha REL-it.
Çka humb Kosova?
Ministria e Ekonomisë e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar shtyrjen e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje dhe humbjet eventuale që pëson vendi.
“Shpresoj që edhe Kosova të jetë [pjesëmarrëse] në një të ardhme të afërt, sepse është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, si dhe për avancimin e shkathtësive digjitale”, thotë Elshani..
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më herët se masat ndëshkuese të BE-së janë të padrejta dhe ka shfaqur shpresën se ato nuk do të zgjasin shumë.
Qeveria e tij ka miratuar, muajin e kaluar, Agjendën Digjitale 2030.
Ajo përshkruhet si një strategji qeveritare ndërsektoriale, e cila përcakton politikën dhe prioritetet e veçanta të Kosovës në kontekstin e transformimit të vazhdueshëm digjital të ekonomisë dhe shoqërisë.
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë se mospërfshirja e Kosovës në programin në fjalë e dëmton vendin.
Ajo thotë se mekanizmi që udhëheq, ka kërkuar sqarime nga Qeveria e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.
“Nuk dimë asgjë se çfarë po ndodh. Është shqetësuese mospërfshirja në Programin e Evropës Digjitale. Nuk e dimë nëse është edhe ky një sanksion, Qeveria nuk na ka dhënë ndonjë informacion”, thotë Krasniqi, e cila vjen nga opozita. /REL
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Winterthur
“Ne dhe Ata” sonte në Winterthur, komedia që prek realitetin e mërgatës Dan Morina vjen me një “Comedy Show” të radhës, ndërsa publiku në Zvicër pritet të argëtohet... -
Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë -
Bern: Event mbi integrimin përmes punës dhe ndërmarrësisë -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi
Jeta në Austri
-
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç Austria do të ndalojë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën 14 vjeç, sipas një marrëveshjeje... -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik -
Austri: Kosovarja shkakton aksident me makinë, lëndohet rëndë çiklistja











