Lajme
Opioidet sintetike, shkaktari kryesor i vdekjeve nga mbidoza në SHBA
Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se shkaku kryesor i vdekjeve nga mbidoza në Amerikë janë opioidet sintetike, kryesisht fentanili, i cili mund të jetë deri në 50 herë më i fortë se heroina.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit thotë se fentanili i paligjshëm prodhohet me çmim të ulët nga kimikatet që vijnë kryesisht nga Kina, trafikohen përmes Meksikës dhe më pas kontrabandohen në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya, sjell një cikël materialesh, të titulluar Fentanili Vrasës, që nisin me mbidozën e një adoleshenti në shtetin e Uashingtonit.
Lucas Beirer ishte aktiv në grupin e të rinjve të kishës. Ai punote disa orë si instruktor noti dhe luante futboll me shkollën e mesme në këtë komunitet të qetë pranë Siatëllit.
Por kur 16-vjeçari dëmtoi shpinën, nëna e tij, Olga Davidov-Beirer, thotë se ai filloi të merrte qetësues kundër dhimbjeve. Ajo nuk ishte shumë e shqetësuar në fillim, por thotë se i diskutoi rreziqet e drogës me të birin, pasi një nga shokët e klasës së Lucas vdiq nga mbidoza.
“Fola me Luca-n pas funeralit edhe pse nuk e kisha idenë që ai blinte pilula. Fola me të dhe i thashë, ‘Lucas, nuk e di se çfarë është,’ sepse askush nuk po përmendte fjalën fentanil, por thashë, ‘Dua të sigurohem që nuk do të jem një nënë që humbet fëmijën e saj’”.
Një muaj më vonë, hetuesit thonë se Lucas mori atë që mendonte se ishte ‘Percocet’, një qetësues i fuqishëm kundër dhimbjeve. Por pilula ishte e falsifikuar, e veshur me fentanil. Nëna e tij e gjeti atë pa ndjenja në mëngjes, në ditën e parë të vitit të ri shkollor.
E dëgjova nga shokët e tij, ‘Duhet të jetë fentanil, duhet të jetë fentanil’, dhe pyeta, ‘Çfarë është fentanili?’”
Fentanili është një ilaç i miratuar për trajtimin e dhimbjeve të forta.
Fentanili i paligjshëm shpesh përzihet me heroinë ose kokainë ose përdoret në pilula të falsifikuara si ajo që vrau Luca-n.
Agjenti amerikan kundër drogave, Jacob Galvan, thotë se testet laboratorike zbulojnë doza potencialisht vdekjeprurëse të fentanilit në gjashtë nga 10 pilulat false.
“Ua tregojmë agjentëve dhe nuk janë në gjendje ta dallojnë, ua tregojmë specialistëve në laboratorë, as ata nuk mund ta dallojnë. Aq mirë arrijnë t’i prodhojnë”.
“Kjo mund t’i ndodhë kujtdo. Fitimi është i madh për fentanilin dhe fentanili mund të hidhet në çdo gjë. Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se këto pilula shiten, ose shpërndahen në rrugë”, thotë Olga Davidov-Beirer.
Pas vdekjeve në këtë komunitet, autoritetet kanë nisur disa programe të reja shkollore për rreziqet e fentanilit për të ndihmuar personelin të trajtojë mbidozat aksidentale.
“Ne mendojmë se sa më shpejt të shkojmë në një shkollë, aq më mirë. Ne do të jemi në shkollat e ciklit të lartë deri në kolegje nëse ata do të na pranonin. Është shumë e rëndësishme të përhapim mesazhin se sa vdekjeprurëse janë këto pilula”, thotë Jacob Galvan.
Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore thotë se më shumë se 90% e njerëzve 12 vjeç e lart me një çrregullim të abuzimit me substancat nuk marrin asnjë trajtim. Familja e Lucas krijoi një grup vullnetarësh për të përhapur ndërgjegjësimin për rreziqet e fentanilit, për të ndihmuar familjet të njohin shenjat paralajmëruese dhe të dinë se ku të drejtohen për ndihmë./VOA
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Expo Arbëria zhvillohet në Spezzano Albanese, në fokus trashëgimia arbëreshe Edicioni i dytë i manifestimit u mbajt nga 18 deri më 20 shtator, me aktivitete kushtuar... -
Ansambli Ura organizon Festën e Flamurit në Kloten, i pranishëm edhe Vendim Kapaj -
Shtatë futbollistët shqiptarë që po zhvillohen në strukturat e Bayern Munich -
“Biblioteka Shqip” në Toskanë, libra dygjuhësh për fëmijët shqiptarë -
Vjenë
Tringa Haxhiu përfundon me notën maksimale Masterin në të Drejtën Ndërkombëtare Biznesore në Universitetin e Vjenës
Jeta në Austri
-
Austria heq vinjetën ngjitëse, nga viti 2027 vetëm në format digjital Vinjetat fizike për vitin 2026 janë të fundit. Shoferët duhet t’i kushtojnë vëmendje edhe vlefshmërisë së... -
Vjenë
Tringa Haxhiu përfundon me notën maksimale Masterin në të Drejtën Ndërkombëtare Biznesore në Universitetin e Vjenës -
Në Austri ndryshojnë kufijtë e tatimit, punëtorëve mund t’u rritet paga neto -
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së












