Kosova

Policia e Kosovës suspendon katër zyrtarë për plagosjen e qytetarit serb

Policia e Kosovës ka suspenduar katër zyrtarë policorë për plagosjen e qytetarit serb në veri të Kosovës. “Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara, janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast”, thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.

Rasti tashmë ka kaluar në duart e Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë, njofton Policia.

Milan Jovanoviq është plagosur një natë më herët pranë urës së Bistricës në Leposaviq. Ai është jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohet në Spitalin e Mitrovicës së Veriut. Për plagosjen e tij ai ka fajësuar njësinë speciale të Kosovës, pasi që postblloku ndodhet afër vendit ku ai është plagosur. “Mbrëmë, pasi u ktheva nga Leposaviqi poshtë në Bistricë, ku është baza e tyre, pasi kalova nëpër postbllok, sapo dëgjova një të shtënë dhe një dhimbje në shpatull. Nuk mund të jem 100% i sigurt se kush qëlloi, por nuk besoj se ka njeri tjetër në atë bazë përveç ushtrisë dhe policisë së tyre”, tha ai për mediat serbe, përcjell albinfo.ch.

Lista Serbe kërkon publikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë. “”Forcat Speciale të Kurtit, të cilat janë ilegalisht në veri të Kosovës, edhe një herë derdhën gjak serb dhe tentuan të vrasin bashkëqytetarin tonë Milan Jovanoviq nga Zveçani në Urën e Bistricës. Këto postblloqe famëkeqe, ilegale e forcave speciale shqiptare është bërë simbol i represionit të regjimit të Albin Kurtit ndaj serbëve, të cilët dy herë tentuan të vrasin serbë. Zemërimi shtesë i qytetarëve është shkaktuar nga dija se përgjegjësit për sulmet ndaj serbëve po fshihen nga përfaqësuesit më të lartë të autoriteteve në Prishtinë dhe ministrin kompetent Sveçla, i cili me sa duket, i mbeshtet aktivitetet ilegale të këtyre njësive”, thuhet në njoftimin e LS, përcjell albinfo.ch.

Shefi i Zyrës për Kosovës, Petar Petkoviq, fajësoi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për sic thotë ai, represion ndaj serbëve dhe shkelje të marrëveshjeve të Brukseli, që sipas tij nuk lejojnë stacionimin e Policisë së Kosovës në Veri, përcjell albinfo.ch.