Kosova
Ekspertë ndërkombëtarë: E vështirë të shpallen fajtorë ish-krerët e UÇK-së
Prokurorët e specializuar në Hagë do ta kenë të vështirë ta dëshmojnë se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fajtorë për krimet e supozuara, thonë dy ekspertë të drejtësisë tranzicionale, Mathias Holvoet dhe Aidan Hehir.
Holvoet, ligjërues i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, thotë se atij i ka bërë përshtypje edhe se sa i fuqishëm është ekipi i mbrojtjes i të akuzuarve.
“Problemi është gjithmonë në gjetjen e lidhjes mes krimeve të kryera fizikisht në terren dhe njerëzve më të fuqishëm në organizatë, si [Hashim] Thaçi, [Kadri] Veseli, [Rexhep] Selimi dhe [Jakup] Krasniqi. Dhe, këtë do të duhet ta dëshmojë Prokuroria dhe do të jetë e vështirë. Për të qenë i sinqertë, instinkti më thotë se mund fare mirë të ketë shpallje pafajësie”, thotë Holvoet, duke shtuar se mund të ketë dallime mes katër të akuzuarve.
Si shembull që tregon se sa e vështirë është që një lidhje e tillë të dëshmohet, Holvoet u referohet aktgjykimeve të Tribunalit të Hagës në rastet ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të cilët u shpallën të pafajshëm lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës, gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nisi të hënën, më 3 prill, në Gjykatën Speciale në Hagë. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjatë deklaratave hyrëse, Prokuroria argumentoi se të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet”.
Ndërsa, avokatët hodhën poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.
Për Holvoet dhe Hehir – studiues i drejtësisë tranzicionale, intervenimit humanitar dhe shtetndërtimit në Kosovë nga Universiteti Westminster në Angli – ajo që bie më së shumti në sy është përdorimi i termit “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
“Ideja që UÇK-ja të jetë një ndërmarrje kriminale… ky term është shumë nënçmues dhe mendoj se kjo do t’i alarmojë njerëzit [në Kosovë] dhe do ta prekë me të vërtetë atë nerv që njerëzit ndiejnë në lidhje me UÇK-në si heronj”, shton ai.
Gjatë deklaratave hyrëse, prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë me vetë ata, e jo me gjithë UÇK-në, duke shtuar se “shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”.
Ndërsa, në ditën e fundit të deklaratave hyrëse, më 5 prill, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi tha se deklaratat e tij të asaj kohe – të cilat u përdorën nga prokurorët si dëshmi – ishin vetëm propagandë për ta krijuar “përshtypjen se UÇK ishte strukturë e organizuar”.
Megjithatë, Holvoet vë në dukje se në Tribunalin e Hagës ka pasur dënime edhe për përhapje të propagandës./Rel
E-Diaspora
-
Pandova
Filmi “Zgjoi” prezantohet në Padovë para audiencës italiane dhe diasporës shqiptare Shfaqja në Teatrin “Ruzante” u mbajt në kuadër të javës kulturore “Young Europeans: Kosovo Week”, të... -
Suedi
Arsimi dual në Kosovë, përvoja suedeze dhe fuqizimi i vajzave në shkollat profesionale -
Londër
Eralda Qirjo dhe Arben Neza zgjidhen në Këshillin Bashkiak të Enfield-it në Londër -
Mbi 61 mijë aplikime të aprovuara për votuesit jashtë Kosovës -
Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër do të bëjë bashkë odat ekonomike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
Jeta në Austri
-
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan” Artisti shkodran përfaqëson Shqipëria në Eurovision Song Contest, ndërsa publiku nga Kosova mund ta mbështesë përmes... -
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë -
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri













