Lajme
Scholz: Nevojitet integrimi sa më i shpejtë në BE i gjithë Ballkanit Perëndimor
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi sot se integrimi i shpejtë në Bashkimin Europian i të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Gjermaninë dhe është një detyrë shumë e rëndësishme për Europën. Gjatë një konference shtypi në Berlin me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, kancelari Scholz theksoi se Shqipëria është duke bërë një përparim të mirë në procesin e integrimit.
Një takim i Procesit të Berlinit u vendos të mbahet në Shqipëri në mes të tetorit e ardhshëm. Kjo është hera e parë që një takim i këtij Procesi mbahet në rajon.
Gjermania dëshiron të mirëpresë gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian sa më shpejt të jetë e mundur. Kështu deklaroi kancelari gjerman, Olaf Scholz, të martën në Berlin gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
“Integrimi i shpejtë i të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, po e nënvizoj përsëri, është i një rëndësie strategjike për qeverinë time. Ne shpresojmë t’i mirëpresim ata si anëtarë të Bashkimit Europian sa më shpejt të jetë e mundur. Përparimi i mirë i Shqipërisë në bisedimet e anëtarësimit në BE besoj se është një sinjal shumë i mirë për këtë”, u deklaroi gazetarëve kancelari Scholz.
Ai renditi se, mes të tjerash, thelbi i negociatave europiane mbetet forcimi i sundimit të ligjit, mediat e lira e të pavarura, si dhe një mjedis ekonomik transparent dhe me siguri juridike.
“Qeveria ime i qëndron vazhdimësisë së partneritetit besnik dhe të ngushtë të Gjermanisë me Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”, theksoi zoti Scholz.
Ai shtoi se “integrimi i Ballkanit Perëndimor është një nga detyrat shumë të mëdha që duhet të përmbushë Europa tani, sepse Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe e familjes europiane”.
Nga ana tjetër, kancelari komentoi edhe për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Zoti Scolz tha se propozimi franko – gjerman drejtuar palëve është i peshuar mirë dhe ka një mbështetje të plotë ndërkombëtare nga SHBA, BE, ndaj besonte se ky proces do të përfundojë së shpejti me sukses.
“Besoj se është bërë shumë përparim, siç mund të shihet në deklarimet publike nga Vuçiç dhe Kurti, Ky është përparim krahasuar me kohët e kaluara. Ky është një plan, që mund të zbatohet, dhe tani duhet të funksionojë. Ja pse pres që të kemi rezultate të mira dhe konstruktive së shpejti. Kam përshtypjen se ekziston një vullnet i madh për të bërë të mundur atë që dukej e pamundur për një kohë të gjatë. Do të ishte mirë për paqen dhe për zhvillimin e Kosovës dhe të Serbisë”, deklaroi kancelari Sholz.
Në këtë konferencë u njoftua mbajtja në Tiranë më 16 tetor e një takimi të Procesit të Berlinit.
Ky do të jetë takimi i parë në historinë afro 10-vjeçare të këtij Procesi, që do të mbahet në kryeqytetin e një vendi të Ballkanit Perëndimor.
“Jam i lumtur që Tirana u zgjodh për Samitin e Procesit të Berlinit. Ky samit do të vazhdojë në rrugën e çelur, thellimin e procesit, do të trajtojë bilancin e arritjeve të këtij procesi, objektivat për t’u arritur më tutje, si dhe do të fuqizojë bashkëpunimin në rajon”, tha zoti Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se bashkëpunimi rajonal është e vetmja rrugë, ndërsa Gjermania është një bashkudhëtar i vëmendshëm dhe i përfshirë drejtpërdrejt./VOA
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Urim për Festën e Kurban-Bajramit nga Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër Mesazh paqeje, solidariteti dhe urimi për besimtarët shqiptarë në Zvicër me rastin e Kurban-Bajramit 2026... -
Gjermani
Shqiptarja e parë që u prezantua në kopertinën e “Deutsche Dermatologie” rifiton shtetësinë e Kosovës -
Osmani: Diaspora më e angazhuar për Kosovën se për vendet ku jeton -
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër -
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani
Jeta në Austri
-
Ka rrezikuar me zjarrvënie jetën e 8 personave: 15 vjet burg për kosovarin Ai ka hedhur 13 litra benzinë dhe i ka vënë zjarrin në një depo ku ishin... -
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan”











