Lajme
Kurti akuzon Vuçiqin për shkelje të propozimit të BE-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për shkelje të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti tha se deklaratat e Vuçiçit, të bëra më 28 shkurt, se Serbia nuk do të pranojë që Kosova të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara, përbëjnë shkelje të nenit 4 të propozimit evropian, që palët e pranuan gjatë rundit të dialogut të mbajtur të hënën.
“Mbrëmë, presidenti i Serbisë u zotua se do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Kjo do përbënte shkelje të qartë të nenit 4 të propozimit të Bashkimit Evropian. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia duket se ka zgjedhur të mos e bëjë këtë”, shkroi Kurti në Twitter.
Propozimi evropian për normalizim të raporteve përbëhet nga 11 nene. Në nenin 4, të cilit i referohet Kurti, thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
Vuçiç deklaroi të martën mbrëma se përveç kundërshtimit të anëtarësimit në OKB, Serbia nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës.
“…unë nuk dua dhe nuk mund të bisedoj për njohjen reciproke, njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, deklaroi Vuçiç për televizionin publik serb, RTS, më 28 shkurt.
I pyetur për nenin që thotë se Serbia nuk do ta bllokojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, Vuçiç tha se “prandaj nuk e nënshkrova [propozimin evropian]”. Pas takimit të Brukselit, Kurti deklaroi se ishte i gatshëm ta nënshkruante propozimin, por pala serbe nuk shprehu gatishmëri.
Propozimi evropian është thënë se synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
BE-ja ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë që ta zbatojnë planin. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Më pas, BE-ja planifikon që gjatë marsit të ftojë liderët e Kosovës dhe Serbisë në takim për të diskutuar për zbatimin e propozimit evropian. Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./rel
E-Diaspora
-
Bie numri i kosovarëve që punojnë në Slloveni Nga rreth 16,600 në mars 2024, numri i shtetasve të Kosovës në punësim ka zbritur në... -
Rame Lahaj nis në Cyrih turneun ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN” -
“Shame and Money” prezantohet para publikut në Këln -
“Liria Ka Emër” njofton për protesta në katër qytete të Gjermanisë më 26 shtator -
Shqiptarja ndalohet në aeroportin e Memmingenit për tejkalim të qëndrimit
Jeta në Austri
-
Trajneri i Austrisë: “Na pret një ndeshje e vështirë ndaj Kosovës” Trajneri i kombëtares austriake, Ralf Rangnick, pret një ndeshje jo të lehtë të dielën kundër Kosovës.... -
Masa të rrepta sigurie për ndeshjen Austri–Kosovë në Vjenë -
DHL i rrit çmimet në Austri me 5,4 për qind -
Dardanët nisin përgatitjet për ndeshjen ndaj Austrisë -
Austria heq vinjetën ngjitëse, nga viti 2027 vetëm në format digjital










