Kosova
SHBA: Presim qasje konstruktive të Kosovës dhe Serbisë në bisedimet e së hënës
Shtetet e Bashkuara presin një qasje konstruktive të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në lidhje me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është e rëndësishme që Serbia dhe Kosova të shfrytëzojnë bisedimet për të shprehur përkushtimin e tyre për një të ardhme paqësore të rajonit.
“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të synojnë në fund njohjen e ndërsjellë. Përparimi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e DASH-it, në të cilën cilësohet inkurajuese që Serbia dhe Kosova e kanë pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian.
Blinken: Marrëveshja me Serbinë e çon Kosovën drejt integrimit euroatlantik
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç pritet të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar mbi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Të dy kanë pohuar se e pranojnë në parim propozimin që nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
Takimi i radhës Kurti – Vuçiç, më 27 shkurt, në Bruksel
I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha se pret që të dy udhëheqësit zyrtarisht dhe publikisht të deklarojnë se e pranojnë planin.
“Plani në vetvete nuk do të negociohet. Palët janë konsultuar pasi projekti i parë është ndarë me to dhe nuk shohim arsye as gjasa për negociata. Ne besojmë vërtet që është plani që trajton çështjen, respekton vijat e kuqe të palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm”, tha zoti Lajçak në një intervistë me Radiotelevizionin e Kosovës.
Një zyrtar i Bashkimit Evropian tha të premten se në bisedimet e së hënës palët do të diskutojnë për zbatimin e planit, i cili mbështetet nga të gjitha vendet anëtare të bllokut, përfshirë edhe ato që nuk e njohin Kosovën si dhe nga Shtetet e Bashkuara.
Zyrtari tha se pranimi i propozimit nënkupton edhe pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë që është pika më e diskutueshme në marrëveshjet e deritashme të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ai tha se propozimi paraqet po ashtu “njohje de facto” të Kosovës nga Serbia.
Brukseli dhe Washingtoni kanë shtuar trysninë për një marrëveshje Kosovë – Serbi, mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.
Fuqitë perëndimore ndihmuan në zgjidhjen e një situate të tensionuar në muajin dhjetor, përgjatë të cilit grupe serbësh bllokuan rrugët kryesore për të protestuar kundër arrestimit të një ish-oficeri të policisë nga radhët e komunitetit serb. Diplomatët thonë se duan të shmangin përsëritjen e krizave dhe se palët do të përballen me pasoja nëse refuzojnë propozimin evropian./VOA
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Kampionati botëror: Austria, në kërkim të një vendi për në fazën eliminatore Të dielën herët në mëngjes (Ora: 4:00), kombëtarja austriake përballet me Algjerinë në Kansas City (ShBA),... -
Nga Cyrihu drejt Amerikës, Ansambli “TROJET” çon kulturën shqiptare në Festivalin “Lahuta 35” -
Pulmologu shqiptar realizoi ëndrrën në Austri: Dr. Mefail Muji hap ordinancën e tij në Vjenë -
Ansambli “Vatra” sjell atmosferë shqiptare në “Albanifest” të Winterthurit -
Itali
I burgosuri me origjinë nga Kosova arratiset nga spitali në Itali, dyshohet se mashtroi gardianët
Jeta në Austri
-
Temperatura rekorde edhe në Vjenë Në qendër të Vjenës u matën 40 gradë Celsius, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 39.5... -
Kampionati botëror: Austria, në kërkim të një vendi për në fazën eliminatore -
Pulmologu shqiptar realizoi ëndrrën në Austri: Dr. Mefail Muji hap ordinancën e tij në Vjenë -
Austria
Liridon Hoti diplomon Master në Filozofi në Vjenë -
Miki Ramadani kandidate e Partisë Komuniste për Këshillin Komunal në Graz











