Lajme
Borrell drejtuar liderëve të BE-së: Ukrainës i duhen më shumë armë
Duket se lufta në Ukrainë është tema kryesore në diskutimet e Konferencës së Sigurisë në Mynih. Në ditën e fundit të kësaj ngjarjeje foli shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili tha se Perëndimi duhet të ofrojë më shumë ndihma ushtarake për Ukrianën dhe se duhet të përshpejtojë dërgesat e saj, shkruan Zëri i Amerikës, përcjell albinfo.ch.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian u kërkoi anëtarëve të bllokut të rrisin dhe përshpejtojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Josep Borrell tha sot në Konferencën e Sigurisë në Mynih se “çështja kryesore dhe më urgjente gjeopolitike e Evropës është armatosja e Ukrainës”.
Ai tha se është koha që të gjithë udhëheqësit ervropianë që po thonë se Ukraina duhet të mbizotërojë në luftë, të kalojnë nga fjalët në vepra.
“Zelenskyy dhe ukrainasit po marrin shumë duartrokitje por pak municione. Ky është një paradoks. Atyre u duhen më pak duartrokitje dhe më shumë furnizime me armë. Ukrainasit po luftojnë, po paguajnë një çmim të lartë me jetët e tyre. Kjo luftë po ndodh në tokën evropiane, duke prekur sigurinë tonë dhe atë globale”, tha zoti Borrell.
Ai shtoi se Evropës i është dashur shumë kohë për marrjen e vendimeve kritike, siç është marrëveshja e muajit të kaluar për të furnizuar Kievin me tanke luftarake.
“Të gjithë e dinë se për të fituar një luftë, një luftë klasike me llogore, manovra apo armë të rënda, ju duhen tanket luftarake. Nuk mund ta fitoni luftën pa armë të tilla”, tha ai.
Zoti Borrell tha se mungesa e municioneve është një çështje që duhet të adresohet brenda “disa javësh” dhe se kjo do të kërkojë nga vendet anëtare që të shfrytëzojnë rezervat e tyre ekzistuese.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha në fjalimin e tij në ditën e parë të konferencës se Ukraina mund të garantojë dështimin e agresionit rus këtë vit nëse merr me shpejtësi armët e nevojshme.
Aleatët e Kievit kanë premtuar tanke luftarake, ndërsa janë në negociata për furnizim të Ukrainës me raketa me rreze të gjata veprimi.
Ndërkohë, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, kërkoi nga Perëndimi që të merren seriozisht kërcënimet që vijnë nga presidenti rus, Vladimir Putin.
“Në vitin 1925 askush nuk e besonte Hitlerin, edhe pse ai ishte i hapur për qëllimet e tij. Në vitin 2007 Putini ishte i qartë mbi qëllimet e tij këtu në këtë konferencë. Problemi është se askush nuk e besonte, por le ta besojmë tani”, tha zonja Kallas, vendi i së cilës kufizohet me Rusinë.
Sulmi gati njëvjeçar i Rusisë në Ukrainë ka dominuar diskutimet në konferencën e Mynihut, një mbledhje vjetore e zyrtarëve të sigurisë dhe mbrojtjes nga e gjithë bota.
E-Diaspora
-
Muriqi e dërgon Fenerbahçen në Ligën e Kampionëve Vedat Muriqi ka qenë protagonist në suksesin e madh të Fenerbahçes, që siguroi kualifikimin në fazën... -
Shqiptarja që shet vila milionëshe në Zvicër: Gentiana Ahmeti, “Immofluencerja” që po ndryshon mënyrën e shitjes së pronave -
Sabahat Meta për albinfo.ch: Për 7 vite, Kino Kosova është shndërruar në një urë kulturore mes Kosovës dhe Zvicrës -
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë -
Nga Ferizaj në skenën e Miss World 2026, Blair Isufi: Ky rrugëtim është për Kosovën
Jeta në Austri
-
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë Ai largohet nga kampioni aktual i Zvicres pas 7 vitesh, për një vlerë prej 1... -
Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Austri – Kosovë, shiten 40 mijë bileta -
Austri: Ministria e Financave paralajmëron për mashtrim me ndihmën familjare -
A do të shtrenjtohen hipotekat dhe kreditë nëpër Evropë? -
Austri: Meteorologët japin paralajmërim për stuhi












