Kosova

Serbia kërcënon sërish, vë ushtrinë në gjendje gatishmërie

Ministri serb: Me urdhër të Vuçiqit, ushtria serbe është në gjendje gatishmërie

 

Sot, ministri i ri i Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka deklaruar se me urdhër të presidentit Aleksandar Vuçiq, ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie. Ai ka thënë se niveli i gatishmërisë luftarake është ngritur për shkak të situatës në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Duket se ky kërcënim i autoriteteve serbe vjen pas hyrjes në fuqi të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës sa i përket konvertimit të targave ilegale në ato RKS, e që pritet të zbatohet në tri faza. Fillimisht deri më 21 nëntor është paraparë qortimi i pronarëve të automjeteve me targat ilegale, më pas fillon gjobitja dhe në fazën e tretë janë paraparë targat provuese.

Vuçeviq ka theksuar se Serbia është shtet serioz dhe se askush nuk duhet të bëjë ‘lojëra lufte’.

“Ne nuk po përgatitemi për luftë, por nuk mund të jemi plotësisht të papërgatitur për gjithçka që ndodh. Ne, angazhohemi për dialog”, ka shtuar ai.

Vuçeviq ka thënë se ‘ushtria serbe është e gatshme për të zbatuar çdo urdhër të presidentit Vuçiq, duke mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, duke përfshirë edhe serbët në Kosovë dhe se në këtë askush nuk duhet të dyshojë’.

Ndërkohë, sot patrullat e Policisë së Kosovës kanë filluar zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës, duke u shqiptuar masa qortuese qytetarëve, të cilët ende nuk i kanë konvertuar targat e automjeteve të tyre nga ato ilegale KM, në ato të ligjshme RKS.

Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri të Kosovës, insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Vuçeviq tha për Televizionin Happy në Serbi se Vuçiq, si komandant i përgjithshëm, ka urdhëruar ushtrinë serbe që ta ngrejë nivelin e gatishmërisë luftarake në atë pikë që të mund t’i përgjigjet çdo detyre.

“Serbia është një vend serioz. Ajo merr përgjegjësi për të gjitha problemet e mundshme”, tha Vuçeviq.

Ai shtoi se, mëngjesin e së martës, është bërë qortimi i parë për targat.

“Kur Serbia flet për paqe dhe stabilitet, nuk do të thotë se ne jemi të dobët, se mund të na maltretojnë dhe poshtërojnë. Ajo që duhet ta dijë populli, është se ushtria serbe është shumë herë më e fortë seç ka qenë, meriton respekt… Ne duhet të punojmë për më shumë staf, për armatim më të madh, për trajnim të forcave rezervë. Ne nuk po përgatitemi për luftë, por nuk mund të jemi plotësisht të papërgatitur për gjithçka që ndodh”, tha Vuçeviq.

Targat që i lëshojnë autoritetet serbe, konsiderohen të paligjshme në Kosovë, por ato janë toleruar në veri të Kosovës që nga paslufta, më 1999.

Ndërkaq, serbët në pjesë të tjera të Kosovës ka vite që i kanë regjistruar automjetet e tyre me targa që i lëshon shteti i Kosovës.

Çështja e targave është bërë shkas i tensioneve në veri, verën e kaluar, kur disa serbë lokalë janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada.

Për të qetësuar situatën dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më 1 nëntor.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar sërish shtyrje, edhe për dhjetë muaj të tjerë, dhe janë shprehur “të zhgënjyera” me mosveprimin e Qeverisë sipas kërkesave të tyre.