Lajme
Pacientët që preken nga Covid dhe gripi janë dyfish më të rrezikuar të humbin jetën
“Kemi zbuluar se kombinimi i Covid-19 me viruset e gripit është tepër i rrezikshëm”, thonë shkencëtarët
Ka pasur thirrje të vazhdueshme për personat që janë shtruar në spital me koronavirus që të testohen në mënyrë periodike për gripin, pasi një studim i ri zbuloi se personat që preken nga të dyja këto sëmundje kanë një shkallë më të madhe të vdekshmërisë.
Pacientët me Covid-19 që janë shtruar në spital duhet të testohen gjithashtu në mënyrë periodike edhe për gripin, kanë thënë studiuesit.
Kjo thirrje u bë pas publikimit të një artikulli shkencor në revistën mjekësore “Lancet”, i cili zbuloi se këto dy sëmundje, kur bëhen bashkë, shtojnë rrezikun e humbjes së jetës të një pacienti me më shumë se dy herë.
Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se individët që kishin pasur kontakte edhe me Sars-CoV-2, virusin që shkakton Covid-19, edhe me viruset e gripit, kishin katër herë më shumë gjasa që të kishin nevojë për ventilim dhe 2.4 herë më shumë gjasa që të humbnin jetën, krahasuar me rrethanat ku do të ishin infektuar vetëm me Covid -19.
“Kemi zbuluar se kombinimi i Covid-19 me viruset e gripit është tepër i rrezikshëm”, tha profesor Kenneth Baillie nga Universitetit të Edinburgut. “Ne presim që Covid-19 do të qarkullojë bashkë me gripin, duke rritur mundësinë e infektimeve të dyfishta të pacientëve. Kjo është arsyeja pse duhet të ndryshojmë strategjinë tonë të testimeve për pacientët me Covid-19 që janë të shtruar në spital dhe të testojmë në shkallë shumë më të gjerë për gripin.”
Studimi shqyrtoi më shumë se 305,000 pacientë të shtruar në spital me Covid-19 dhe përfshiu studiues nga Universiteti i Edinburgut, Universiteti i Liverpoolit, Kolegji Imperial i Londrës dhe Universiteti Leiden në Holandë.
U zbulua se 6,965 pacientë gjithsej ishin të prekur vetëm nga Covid-19, ndërsa 227 kishin edhe virusin e gripit. Këta individë përjetuan pasoja dukshëm më të rënda, sipas studiuesve.
“Ne ishim të befasuar që rreziku i vdekjes dyfishohej kur njerëzit ishin të infektuar edhe nga viruset e gripit, edhe nga Covid-19”, tha profesor Calum Semple nga Universiteti i Liverpoolit. “Tani është shumë e rëndësishme që njerëzit të vaksinohen plotësisht dhe të marrin doza përforcuese kundër të dyja viruseve, dhe mos të mendojnë për t’u vaksinuar kur të jetë tepër vonë.”
Kjo pikë u theksua edhe nga profesori Peter Openshaw nga Kolegji Imperial i Londrës. “Vaksinat që mbrojnë kundër Covid-19 dhe ato që mbrojnë kundër gripit janë të ndryshme dhe njerëzit kanë nevojë për të dyja ato. Edhe mënyra se si trajtohen këto dy infektime është e ndryshme, kështu që është e rëndësishme të bëhen testimet edhe për viruse të tjera kur një pacient është shtruar në spital dhe është diagnostikuar me një infeksion respirator.”
Paralajmërimi i shkencëtarëve vjen pas njoftimeve se më shumë se 600,000 njerëz do të ftohen për të marrë një dozë përforcuese të Covid-19 këtë javë, pasi nivelet e infektimeve po arrijnë nivele rekord në Angli. Rreth një në 16 persona në Angli – ose 3.5 milionë njerëz – ka të ngjarë të ketë pasur Covid në javën që u mbyll më 19 mars, sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare. Kjo shifër është rritur nga një në 20 persona (ose 2.7 milionë njerëz) që ishte në shtatë ditët e mëparshme dhe është java e tretë radhazi që infektimet janë shtuar./ The Guardian
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Akademik Fehmi Agani u kujtua si “truri i rezistencës civile” të viteve `90 Ekspozita kushtuar Akademik Aganit u organizua nga Konsullata e Kosovës në Cyrih, SHBK “Salih Çekaj” në... -
Winterthur
Ansambli “Trojet” prezantohet sonte me valle shqiptare në festivalin ndërkulturor në Winterthur -
Prishtinë
Koncert i muzikës klasike në Prishtinë me Victor Julien-Laferrière dhe Filharmoninë e Kosovës -
Ardian Gjini i drejtohet diasporës: Mos e votoni Albin Kurtin -
Bronx
Panairi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” mbledh mijëra shqiptarë në Bronx
Jeta në Austri
-
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet Këtë javë, në Vjenë do të zhvillohen gjysmëfinalet dhe finalja e edicionit të 70-të të Eurovisionit.... -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten -
Vjenë
Libri me poezi ‘‘I dashtuni im zdrukthtar’’ do të promovohet edhe në Vjenë












