Lajme
Çfarë presin qytetarët e Kosovës nga zgjedhjet e 14 shkurtit?
Përmirësim i gjendjes ekonomike e sociale, rritje të punësimit, investime në shëndetësi janë disa nga pritjet e qytetarëve nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 14 shkurt.
Gazmend Gashi, qytetar i cili ushtron profesionin e arkitektit në Kosovë, thotë se adresimi i problemeve si papunësia është një nga çështje më urgjente me të cilën do të duhej të merrej qeveria e ardhshme.
“Rinia është duke ikur dhe papunësia ka ndikim në këtë. Në shëndetësi ka nevojë për hapjen e spitaleve të reja, pandemia ka paraqitur nevojën për hapjen e këtyre spitaleve, nuk është marrë ndonjë hap në këtë”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë, përcjell Albinfo.ch.
Papunësia në Kosovë është një problem kronik që ka përcjell vendin gjatë viteve të fundit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çdo vit në tregun e punës hyjnë deri në 25 mijë persona, të gjithë të gjeneratës 18 vjeç e më lart. Sipas të dhënave të po kësaj agjencie, shkalla e papunësisë është rreth 30 për qind.
Leonora është studente në Prishtinë. Pritjet e saj nga institucionet e reja, që pritet të dalin nga zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk janë të mëdha. Ajo thotë për REL që nuk pret ndryshime të mëdha, por se do të dëshironte përmirësim të gjendjes ekonomike dhe sociale për të rinjtë.
“Kisha pasur dëshirë të ketë më shumë përparësi për studentë, të ketë më shumë mundësi për punësim. Po e përfundojmë fakultetin dhe po qëndrojmë këtu, asgjë më shumë. Kjo është dëshira më e madhe, nuk është se pres diçka tjetër”, thotë ajo.
Në Kosovë, partitë politike kanë nisur fushatën parazgjedhore, ku po organizojnë tubime të shumta me qytetarë. Premtimet e tyre për hapje të vendeve të reja të punës, investime në shëndetësi, përmirësim të gjendjes ekonomike dhe sociale nuk kanë munguar.
Gentian Bibaj, student i Fakultetit Juridik, thotë se ndonëse në zgjedhje votohet për ndryshim, në Kosovë nuk pritet një gjë e tillë.
“Zgjedhjet që po bëhen shpesh po e dëmtojnë shtetin. Nuk pres ndryshime të mëdha, ndoshta të vogla e graduale, më me urgjencë është zgjidhja e problemeve në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore”, thotë ai.
Kosova është ende pa Ligj për sigurime shëndetësore. Kuvendi i Kosovës arriti ta miratojë një ligj të tillë në vitin 2014, mirëpo as ky ligj nuk ka gjetur zbatim deri tash. Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet).
Mbledhja e fondeve ishte paralajmëruar të nisë që nga 1 korriku i vitit 2017. Atë kohë, nga Qeveria e Kosovës ishin ndarë 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës. Prej atëherë, çështja e sigurimeve shëndetësore ka mbetur pezull.
Në anën tjetër, Emine Abdullahu, pensioniste, pret që të rregullohen çështjet në aspektin penisonal.
“Do të doja të rriten pensionet. Kam punuar mbi 30 vjet dhe po tani më numërohen vetëm shtatë vjet përvojë pune. Mua nga paga më janë ndalë sigurimet …. Si punove si nuk punove njëjtë si ata që kanë qëndruar në shtëpi”, thotë ajo.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008 e deri më tash, asnjë prej legjislaturave të zgjedhura nuk ka arritur të përfundojë mandatin e plotë prej katër vjetësh, duke çuar shpesh vendin në zgjedhje të parakohshme.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt, nis nga data 3 shkurt dhe do të zgjasë deri më 12 shkurt.
E-Diaspora
-
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër Tubimi me bashkatdhetarët do të mbahet të shtunën në Winterthur, në kuadër të aktiviteteve të partive... -
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani -
Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare -
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana”
Jeta në Austri
-
Ka rrezikuar me zjarrvënie jetën e 8 personave: 15 vjet burg për kosovarin Ai ka hedhur 13 litra benzinë dhe i ka vënë zjarrin në një depo ku ishin... -
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan”











