Kosova
Kosovë: Kriza me ujë të pijshëm
Borxhet e konsumatorëve arrijnë në 47 milionë euro

Mungesa e reshjeve atmosferike, për disa rajone të Kosovës, si Prishtina me rrethinë dhe Gjilani, nga organet kompetente po paralajmërohet se do të sjellë si pasojë mungesën e ujit të pijshëm.
Krahas shterjes së burimeve të ujit të pijshëm, një problem tjetër që e bën gjendjen edhe më të rëndë, konsiderohet të jetë mospagesa e borxheve nga qytetarët për ujin që konsumojnë.
Vetëm qytetarët e Prishtinës, me vendbanimet përreth, i kanë borxh Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” rreth 47 milionë euro.
Borxhi i grumbulluar, sipas kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Ilir Abdullahu, ka bërë që të mendojnë për shkyçje të konsumatorëve nga rrjeti i furnizimit me ujë, ndonëse ende nuk ka një vendim të prerë.
Ndonëse rezervat e ujit, sipas ujësjellësit po zvogëlohen, aktualisht qytetarët e Prishtinës me rrethinë furnizohen me ujë të pijes 24 orë në ditë.
Labinot Rexha, një qytetar i Prishtinës, i cili jeton në një banesë kolektive me katër anëtarë të tjerë të familjes, tha se nuk është pagues i rregullt i ujit. Ai tregon arsyet pse nuk e paguan ujin të cilin e shpenzon.
“Të gjithë e dimë që pa ujë s’ka jetë, por unë nuk e paguaj për arsye se asnjëherë, pra asnjë muaj, nuk më vjen çmimi i njëjtë. Kam qenë në kompaninë e ujësjellësit ‘Prishtina’ dhe më kanë thënë se duhet ta montojë një orë vetëm për vete, në mënyrë që të dihet saktë se sa shpenzoj”, tha ai.
“Atë (orën e ujit) duhet ta paguaj unë vetë, kushton diku rreth 50 euro dhe nuk po kam mundësi, pasi jetojmë vetëm me një pagë, e jemi pesë anëtarë të familjes. Pra, unë nuk mund ta paguaj ujin, aq sa nuk shpenzoj. Ka raste kur për një muaj më vjen fatura deri në 30 euro. Kjo është e papërballueshme, por është edhe paushall, pra nuk është matje reale, sepse unë nuk jam kompani apo autolarje të shpenzoj aq shumë ujë”, tha ai.
Në anën tjetër, kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” konfirmon se po përballet me vështirësi, pasi niveli i ujit në liqenet akumuluese, atij të Batllavës dhe Badovcit, prej nga furnizohen më shumë se 140 mijë qytetarë me ujë të pijes, ka rënë minus dhjetë metra, si pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike.
Kryeshefi ekzekutiv i ujësjellësit, Ilir Abdullahu, thotë për Radion Evropa e Lirë se kur reshjet mungojnë, niveli i ujit bie pasi që liqenet e Batllavës dhe Badovcit janë rezervuarë apo liqene artificiale, që janë të ndërtuar në pellgje dhe varen nga akumulimi i reshjeve të shiut dhe borës.
“Aktualisht jemi minus 10.5 metra me mungesë uji në liqenin e Batllavës dhe 10.3 metra minus në liqenin e Badovcit. Kjo i bie që 70 për qind të rezervave, kanë ikur, në akumulim total. Kjo ka ardhur në këtë kohë kur po ballafaqohemi me mungesë të reshjeve atmosferike”, tha Abdullahu.
Letafete Latifi, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, tha se ndonëse parashihet që gjatë kësaj jave të ketë reshje shiu, kjo do të ndikojë shumë pak në përmirësimin e gjendjes aktuale sa i përket kompensimit të ujit tashmë të humbur në liqenet artificiale.
“Nga dita e enjte do të kemi ndryshime të motit dhe kushte meteorologjike për reshje shiu në zonat urbane, derisa në zonat malore do të ketë reshje bore. Deficiti i krijuar i ujërave në liqene akumuluese, nuk pritet që me këto reshje të krijojnë në gjendje më të mirë, pasi ka me qenë minor. Kjo pasi jemi në një situatë me deficit shumë të madh të ujërave. Situata nuk do të përmirësohet, pasi reshjet do duhej të jenë për kohë më të gjatë, në mënyrë që të përmirësohet”, tha Latifi.
Ajo shton se vitin e kaluar, në periudhën e njëjtë, vendi ka qenë në të njëjtën pozitë, kur liqenet kishin rënë nën nivel nga mungesa e reshjeve. Mirëpo, gjendja kishte ndryshuar në muajt në vijim.
“Vitin e kaluar nga 19 prilli deri më 9 maj është arritur kuota maksimale e akumulacionit nëpër liqene, pasi që ka pasur reshje të vazhdueshme. Për shkak të reshjeve në këta muaj ka pasur kuotë maksimale të mbushjes së liqeneve”, tha Latifi.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Lorena Kengji: Arti si një mënyrë për të qëndruar e lidhur me veten Më 10 dhe 11 maj 2025, në Kreuzlingen u mbajt një ekspozitë e veçantë artistike, ku...
-
Promovohen dy libra të krijuesit, Brahim Avdyli
-
Arrestohet 18 vjeçari shqiptar në Itali, mbante mbi 220 doza kokaine në xhep
-
Vjenë: Mbi 190 profesionistë shqipfolës nga e gjithë Evropa në eventin e Illyrian Brains
-
Ulen dënimet e kosovarëve të akuzuar për skllavërim të grave: Mungojnë faktet
Jeta në Austri
-
Gjërat që nuk mund t’i mbani në makinën tuaj në Austri Kur bëhet fjalë për ngasjen në Austri, nuk duhet të keni kujdes vetëm për rregullat e...
-
Austriakët arritën rekord prej 27.5 milionë udhëtime pushimesh
-
Domethënia e zgjedhjeve të Vjenës për të huajt, sezoni i alergjive dhe ngjarjet kryesore të javës në Austri
-
Vjenë: Mbi 190 profesionistë shqipfolës nga e gjithë Evropa në eventin e Illyrian Brains
-
Hetimi për aksidentin ajror në Graz në 2024 i kalon Zvicrës